Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Llapi në hetime për kurdisje, Batatina mohon akuzat

Gazeta10
24 February 2023 - 19:32

Raporti: Lorik Gashi / Kanal10

Futbolli kosovar të enjten mbrëma ka pësuar një tronditje nga raportimet franceze për trukime të ndeshjes e që në qendër të këtij skandali është vënë skuadra e Llapit. Për Kanal10, drejtuesit e Llapit e kanë mohuar një gjë të tillë derisa në anën tjetër Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë konfirmuar fillimin e hetimeve.

Mbrëmja e të enjtes nuk ka qenë fare e qetë për fituesin e Kupës së Kosovës në stinorin e kaluar, Llapin.

Kjo pasi që mediat franceze raportuan se autoritetet e shtetit atje  i kanë arrestuar 9 persona të dyshuar për përfshirje në trukimin e katër ndeshjeve, duke e vënë në qendër të këtij procesi pikërisht skuadrën e Llapit.

Mirëpo një gjë e tillë është hedhur poshtë nga kryetarajneri i skuadrës llapjane, Tahir Batatina.

Në anën tjetër Prokuroria themelore në Prishtinë nëpërmjet një njoftimi e ka bëtë të ditur se kanë nisur hetimet rreth këtij rasti.

“Duke u nisur nga shkrimet e publikuara ditëve të fundit në portalet vendore, lidhur me rastet e kurdisjeve të ndeshjeve futbollistike kosovare, Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se, është duke i trajtuar këto raste, andaj për shkak të integritetit të procesit në të cilin gjenden, nuk mund të japim detaje të tjera për opinionin e gjerë”

Për këtë vendim të Prokurorisë, nuk është në dijeni avokati i klubit llapjan, Bekim Sfishta.

Të premten ka reaguar edhe Këshilli kombëtar për parandalimin dhe sanksionimini e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive,  duke mos dhënë ndonjë informatë shtesë për shkak të dëmtimit të hetimeve.

“Meqenëse rastet për dyshime të kurdisjeve janë në fazën e hetimeve, përfshirë këtu edhe bashkërendimin me autoritetet e Francës dhe organizatat ndërkombëtare të sportit, ne si Këshill nuk mund të japim ndonjë informatë shtesë që mund të dëmtojë hetimet”.

Gatishmëri për të bashkëpunuar me të gjitha organet për zbardhjen e këtij rasti ka shprehur edhe Federata e Futbollit të Kosovës.

“FFK është plotësisht e gatshme të bashkëpunojmë me çdo autoritet të Republikës së Kosovës dhe me ato ndërkombëtare, në mënyrë që të ruhet integriteti i futbollit dhe i sportit kosovar në përgjithësi”.

Njëra ndër ndeshjet e cila hetohet për trukim është ndeshja mes Llapit dhe Feronikelit e zhvilluar vitin e kaluar në stadiumin “Zahir Pajaziti”, të cilën vendasit e kishin fituar me rezultat 4:2.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.