Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Në Spanjë arrestohen pjesëtarët e një klani serb të drogës, zbulohet “dhoma e torturës”

Gazeta10
24 September 2026 - 16:56

Policia Kombëtare e Spanjës ka shkatërruar një celulë të krimit të organizuar serb që vepronte përgjatë Costa del Sol, Campo de Gibraltar dhe rajonit të Levantes, raportoi El Espanol. Operacioni kulmoi me zbulimin e një “dhome torture” në një vilë luksoze me qira në Estepona, ku policia shpëtoi dy burra.

Ngjarja ndodhi në orët e para të 5 shtatorit, rreth orës 01:05, kur shërbimi policor 091 mori një telefonatë alarmante. E dashura e njërit prej personave të rrëmbyer njoftoi policinë se partneri i saj kishte shkuar në një adresë në Nueva Atalaya 65 për “punë të dyshimta” dhe i kishte kërkuar të telefononte policinë nëse nuk do ta kontaktonte brenda dhjetë minutash.

Kur policia mbërriti në vilë, dy burra të maskuar dolën me vrap nga objekti. Pas tyre, nga dera e kuzhinës doli një burrë i rrahur dhe i gjakosur, i cili kërkoi ndihmë dhe tha se ishte rrëmbyer dhe se donin ta vrisnin.

Njëri prej të dyshuarve, i identifikuar si Marko N., tentoi të arratisej duke kapërcyer murin e oborrit dhe duke mbajtur diçka që ngjante me armë zjarri. Policia arrestoi më pas edhe një tjetër të dyshuar, Filip J.

Në operacion morën pjesë njësi nga Estepona dhe Marbella. Policia arrestoi edhe Zoran N. dhe Leon Y., ndërsa gjatë bastisjes u gjetën pushkë automatike AK-47, të cilat dyshohet se përdoreshin për sigurimin e bazës së grupit. Brenda vilës u gjet edhe një tjetër viktimë, e cila ishte e gjakosur dhe kërkonte ndihmë.

Në një nga dhomat e vilës, hetuesit gjetën muret të mbuluara me mbështjellës plastik. Brenda saj kishte një karrige, lidhëse plastike, çekiç, pincë, shirit ngjitës, një pistoletë me silenciator dhe armë të tjera. Ekspertët balistikë po analizojnë armët për të përcaktuar nëse janë përdorur në përleshje të mëparshme të armatosura dhe vepra të tjera penale në zonën e Marbella-s.

Sipas burimeve të hetimit, dy viktimat, Miguel Angel dhe Hamza, kishin gjithashtu të kaluar kriminale. Policia dyshon se ata ishin pjesë e të njëjtit grup kriminal dhe se ishin torturuar si hakmarrje pas dështimit në një detyrë të mëparshme, që mund të lidhej me humbjen e një ngarkese droge ose një borxh. Njëri prej tyre u dërgua në burg menjëherë pasi doli nga spitali.

Në total janë arrestuar shtatë shtetas të Serbisë. Sipas policisë, asnjëri prej tyre nuk kishte vendbanim të regjistruar në Spanjë. Gjatë arrestimeve dhe ndjekjes u plagosën edhe tre policë. Hetimi mbetet në vazhdim, ndërsa të arrestuarit janë dërguar në burgun Alhaurín de la Torre.

 

 

 

 

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.