Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Shefi i EULEX-it: Shërbimi Korrektues i Kosovës, lider jo vetëm në rajon, por edhe për shumë shtete të Evropës

Gazeta10
24 September 2026 - 16:46

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka pritur sot në takim shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopez.

Gjatë takimit, Dibrani e njoftoi Lopezin me punën, të arriturat dhe zhvillimet në Shërbimin Korrektues të Kosovës, si dhe me synimet për avancimin e mëtejmë të sistemit korrektues në vend.

Dibrani vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm me EULEX-in dhe partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar se ky bashkëpunim ka kontribuar në zhvillimin profesional të SHKK-së dhe në ngritjen e standardeve të shërbimit.

Në takim u diskutua edhe për disa nga projektet dhe iniciativat e SHKK-së që kanë marrë vlerësime ndërkombëtare, përfshirë Çmimin e Ekselencës nga International Corrections and Prisons Association (ICPA) për projektin “Rehabilitimi Gjithëpërfshirës dhe Kujdesi Shëndetësor”, si dhe përfshirjen në mesin e pesë iniciativave më të mira të EuroPris Prison Award me projektin “Art from Prison: Transforming Incarceration into Opportunity”.

Shefi i EULEX-it, Antero Lopez, përgëzoi SHKK-në për të arriturat e deritanishme dhe vlerësoi lart punën e institucionit, duke e cilësuar Shërbimin Korrektues të Kosovës si lider jo vetëm në rajon, por edhe një institucion që mund të shërbejë si shembull për shumë shtete evropiane.

Lopez theksoi gjithashtu rëndësinë e rezultateve të arritura në fushën e rehabilitimit dhe riintegrimit.

“Sot Kosova është duke bërë një punë mjaft të mirë në kthimin e të burgosurve në shoqëri”, u shpreh Lopez.

Në takim u ritheksua gatishmëria për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet SHKK-së, EULEX-it dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, me fokus në forcimin e mëtejmë të sistemit korrektues, zhvillimin profesional dhe avancimin e proceseve të rehabilitimit dhe riintegrimit të personave të dënuar.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.