Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Lobimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shoqëria civile kërkon kompani më prestigjioze

Gazeta10
20 July 2023 - 18:49

Raporti: Saranda Aliu/Kanal10

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka nënshkruar kontratë lobimi me dy kompani në Shtete të Bashkuara të Amerikës, e të cilat udhëhiqen nga shqiptarët.

Përmes kësaj kontrate, e cila është nënshkruar më 26 qershor, të njëjtat pritet që brenda një viti sa edhe do të lobojnë atje, të paguhen me nga 147 mijë euro. 

Por kompanitë, Afërdita Rakipi Communications dhe Ambal, nuk kanë pasur asnjë marrëveshje lobimi të regjistruar më parë në ueb-faqen e Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj të Departamentit amerikan të Drejtësisë.

Ndërkaq, pronarët Afërdita Rakipi dhe Avni Mustafaj, dyshohen se janë njerëz të afërt të pushtetit.

Kjo pasi nëpër rrjetet sociale, këta të fundit kanë shpërndarë postime të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, madje kanë pëlqyer edhe postime përmes së cilave kritikohej qasja e ShBA-së ndaj Qeverisë së Kosovës.

E lidhur me këtë, televizioni ka dërguar pyetje në adresë të MPJ-së, por e njëjta shkurtimisht është përgjigjur se nuk pranon të jap përgjigje.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për arsye të kuptueshme nuk komenton asnjëherë kontrata lobimi”

Ndërkaq, këtë të enjte, deputeti i pavarur, Haki Abazi, ka bërë të ditur se e ka denoncuar lobuesin e Qeverisë Kurti në ShBA.

“Se kjo qeveri nuk e ka as idenë se çfarë po bën, tregon edhe kontrata për lobim në SHBA. Sipas informacionit, kompania e angazhuar nga qeveria e Kosovës për lobim në SHBA, para së gjithash përfaqësuesi e ka shuar Këshillin Shqiptaro Amerikan për shkak të keq menaxhimit të fondeve duke humbur statusin “earmarked funding” nga qeveria amerikane. Si pasojë sot nuk ekziston Këshilli Shqiptaro Amerikan”

E nga Lëvizja Fol kanë thënë se është e çuditshme që Kosova i ka krisur raportet me ShBA-në, e nga ana tjetër po angazhon kompani për përmirësimin e marrëdhënieve të të dyja palëve.

Sipas kësaj organizate, do duhej të kontraktoheshin kompani më prestigjioze për të lobuar në ShBA.

Që nga viti 1992, entitete të caktuara nga Kosova, si parti politike e institucione qeveritare kanë shpenzuar miliona euro për lobime.

Historiku i kontratave të lobimit tregon se në shumicën e rasteve, të kontraktuara kanë qenë kompani të njohura lobimi amerikane, si ajo e Ballard Partners dhe Podesta Group.

Kosova ende nuk e ka miratuar Ligjin për Lobim.

LINKU I VIDEOS

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.