
Loriana Kuka ka fituar tjetër medalje në garat e rëndësishme të xhudos. Të dielën, Loriana fitoi të bronztën në garën Grand Prix që u mbajt në Portugali.
Për medalje të bronztë, Loriana e mposhti jugkoreanen, Jeongyun Lee.
Ndaj saj fitoi me mbërthim. Loriana garoi në kategorinë deri 78 kilogramë.
Ajo fillimisht e mposhti qiprioten Zanet Michaelidou. Më pas fitoi ndaj Vanessa Chala të Ekuadorit.
Në një luftë shumë të fortë me Yelyzaveta Lytvynenko të Ukrainës, Loriana humbi me një vendim diskutabil të gjyqtarëve.
Ai duel zgjati 12 minuta, ndërsa përfundoi me dënimin e tretë për Lorianën.
Në repesazh, Loriana fillimisht e kaloi sllovenen Patricija Brolih e më pas xhudisten e Koresë së Jugut.
Për Lorianën është medalja e parë që nga 4 nëntori i vitit të kaluar kur fitoi të bronztën në Grand Slam në Baku.