
Politologu Agon Maliqi ka vlerësuar se shqiptarët e Maqedonisë e dinë më së miri se kush duhet t`i përfaqësojë ata.
Ai ka bërë me dije se askush nga Prishtina apo Tirana nuk duhet të ndërhyjë në punët e tyre.
Në profilin e tij në “Facebook”, Maliqi ka shkruar se ndërhyrja duhet të vije në shprehje vetem kur një gjë të tillë e kërkojnë vetë shqiptarët e Maqedonisë.
“Shqiptarët e Maqedonisë e dinë vetë se kush i përfaqëson më mirë. Janë ata që zgjohen çdo mëngjes aty, jetojnë me problemet e vendit dhe u duhet të gjejnë mënyra për të bashkëjetuar me shumicën maqedonase. Dikush në Prishtinë apo Tiranë, që nuk ka pikë lidhjeje me këtë realitet, mund t’i ketë dhe t’i shpreh mendimet e veta, por nuk ka punë me garu në zgjedhje apo me ia diktu agjendën e vet shqiptarëve atje”, ka shkruar ai.
Sipas tij, Kosova duhet të ketë kujdes me ndërhyrjet në këtë vend fqinj.
“Maksimumi i ndërhyrjes duhet të jetë me ofru mbështetje atëherë kur ajo kërkohet prej cilësdo partie shqiptare që është në pushtet si dhe me u koordinu rreth politikës rajonale, gjithmonë duke e pasur parasysh nevojën që Kosova t’i ruajë raportet e mira shtetërore me Maqedoninë, dhe që të mos ua rrezikojë sigurinë shqiptarëve atje për nevoja/ego të veta”, ka shkruar Maliqi. /Gazeta10/