
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se sa i takon çështjes së Manastirit të Deçanit duhet të respektohet Gjykata Kushtetuese, raporton Gazeta10.
Hovenier thënë se në demokraci duhet ndjekur vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Kjo nuk është diçka që duhet negociuar apo diskutuar në këtë moment, ndodhi, por gjykata vendosi. Në demokraci ju ndiqni vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, është shprehur Hovenier.
Tutje, ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka obligimet e saj sa i takon statusit të kishës që derivon nga Pako e Ahtisarit.
“Unë isha pjesë e ekipit që ndihmoi në zhvillimin e planit të Ahtisaarit, ne ishim shumë të fokusuar në atë atëherë dhe mbetemi të fokusuar. Shtetet e Bashkuara dhe besoj se mund të flas për partnerët tanë, ndjejnë shumë fuqishëm se Kosova duhet të jetë një vend multietnik, shtet në të cilin të gjithë qytetarët, pavarësisht nga përkatësia etnike, mund të jetojnë në kushte dinjiteti dhe sigurie, po ashtu besojmë se si pjesë e procesit të Ahtisaarit dhe gjërave tjera kemi obligimet e Qeverisë së Kosovës lidhur me statusin e kishës”, ka thënë diplomati amerikan.
Tutje, ai ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet t’i zbatojë ligjet.
“Ahtisaari i vendosi gjërat dhe Qeveria e Kosovës pastaj i zbaton ligjet që janë vërtet mjaft të forta sa i përket mbrojtjes, kornizës ligjore dhe zonave të veçanta mbrojtëse për kishën dhe statusin e saj”, tha Hovenier për Radio Kim. / Gazeta10