
Ministria e Mbrojtjes e Kosovës pritet të ketë në dispozicion 224 milionë e 168 mijë e 705 euro për vitin 2027, duke shënuar buxhetin më të lartë në historinë e këtij institucioni.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili ka theksuar se përmes këtij buxheti do të vazhdojnë investimet në fuqizimin dhe modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Sipas planifikimeve, fondet do të orientohen drejt furnizimit me pajisje dhe sisteme moderne ushtarake, ngritjes së kapaciteteve operacionale, si dhe zhvillimit të infrastrukturës mbrojtëse.
Një pjesë e konsiderueshme e buxhetit është paraparë për investime kapitale, me qëllim të avancimit të kapaciteteve ushtarake dhe përmbushjes së objektivave të zhvillimit të FSK-së.
Projektbuxheti i Kosovës për vitin 2027, në vlerë të përgjithshme prej 4.27 miliardë eurosh, është miratuar nga Qeveria më 2 nëntor dhe tashmë është proceduar në Kuvend për shqyrtim.