
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se ka pritur në takim studentë të nivelit master nga vende të ndryshme të botës, të cilët ndjekin studimet në programin e Shkencave Ndërkombëtare dhe Krahasuese në ETH Zurich.
Ai ka bërë të ditur se vizita e tyre në Kosovë ka përkuar me aktivitetet përkujtimore për 148-vjetorin e Lidhja Shqiptare e Prizrenit, të cilën e ka cilësuar si një nga momentet më të rëndësishme të organizimit politik dhe kombëtar të shqiptarëve.
“Kënaqësi të prisja në takim studentët e nivelit master nga vende të ndryshme të botës, të cilët ndjekin studimet në programin e Shkencave Ndërkombëtare dhe Krahasuese në ETH Zurich. Vizita e tyre në Kosovë përkoi me një javë të veçantë për vendin tonë, kur po zhvillohen aktivitetet përkujtimore me rastin e 148-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një ngjarje që shënon një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e organizimit politik dhe kombëtar të shqiptarëve”, ka shkruar Maqedonci.
Ai ka theksuar se gjatë takimit është diskutuar për zhvillimin e Kosovës në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe për sfidat aktuale rajonale dhe globale.
“Gjatë takimit diskutuam për rrugëtimin e Kosovës nga përpjekjet historike për liri deri te ndërtimi i institucioneve moderne të sigurisë dhe mbrojtjes, luftën e UÇK-së si dhe tranzicionin e FSK-së, zhvillimet aktuale në fushën e mbrojtjes, si dhe ndikimin e teknologjive të reja dhe inteligjencës artificiale në sigurinë kombëtare”, ka shtuar ai.
Maqedonci po ashtu ka bërë të ditur se është diskutuar edhe për partneritetin ndërkombëtar dhe integrimet euroatlantike të Kosovës.
“Po ashtu, shkëmbyem pikëpamje mbi sfidat e sigurisë në rajon, partneritetin me aleatët tanë, bashkëpunimin me NATO-n dhe rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike”, ka deklaruar ministri në detyrë.
Ai ka falënderuar studentët për interesimin dhe diskutimin gjatë takimit.
“I falënderoj studentët për interesimin, pyetjet e thelluara dhe diskutimin konstruktiv. Këto shkëmbime akademike janë dëshmi e interesimit në rritje për Kosovën, zhvillimin e saj demokratik dhe rolin e saj në arkitekturën e sigurisë në Evropë”, ka shtuar Maqedonci.