
omisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka shprehur keqardhje për përzgjedhjen e këngës nacionaliste serbe, e cila u interpretua në koncertin e organizuar në prag të “Forumit të Zgjerimit” në Bruksel.
Ajo ka fajësuar muzikantët për përzgjedhjen e melodisë, duke theksuar se kënga në fjalë nuk përfaqëson në asnjë mënyrë qëndrimet e Komisionit Evropian.
“Shpreh keqardhje për përzgjedhjen e këngës nga ana e muzikantëve. Kjo këngë në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e Komisionit Evropian”, ka deklaruar Kos.
Ajo ka shtuar se institucionet evropiane janë të vetëdijshme për sakrificat e njerëzve në këtë pjesë të Evropës në të kaluarën.
Duke folur për nevojën e pajtimit, Kos ka theksuar se e ardhmja evropiane nuk nënkupton harrimin e dallimeve dhe të kaluarës.
“Nuk po kërkojmë të harrohen dallimet, por po ndërtojmë një Evropë ku dallimet nuk do të jenë arsye për të penguar të ardhmen”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, e pyetur nga gazeta “Koha Ditore” se pse për të dytën herë radhazi askush nga Kosova nuk është ftuar në një ngjarje të rëndësishme si “Forumi i Zgjerimit”, Kos e ka kundërshtuar këtë konstatim.
Ajo ka përmendur se në këtë forum është ftuar Donika Emini, përfaqësuese e shoqërisë civile nga Kosova.