
Portugalia u mposht me rezultatin 0:1 në përballjen e zhvilluar në Dallas. Golin e vetëm të takimit e realizoi Mikel Merino në minutën e parë të kohës shtesë, ndërsa skuadra e Martinez nuk arriti të krijojë rrezik serioz ndaj mbrojtjes spanjolle, e cila vazhdon të mos ketë pësuar asnjë gol në këtë Botëror, shkruan The Independent.
Kontrata e Martinez skadonte në fund të turneut, ndërsa ai deklaroi pas ndeshjes se largimi nuk kishte qenë i vendosur më parë. Megjithatë, dështimi për të realizuar objektivin kryesor, fitimin e Kupës së Botës, e ka bindur se është koha për një ndryshim në pankinën portugeze.
“Ky është fundi i një cikli. Është e rëndësishme që Kombëtarja të ketë një zë të ri dhe një lider të ri. Do t’i marr me vete kujtimet më të bukura dhe shpresoj që edhe Portugalia të ketë kujtime të mira nga këto tre vjet e gjysmë që isha trajner. Ishte përvoja e jetës sime”, deklaroi Martinez.
Ai shtoi se vendimi nuk ishte marrë para nisjes së turneut.
“Nuk ishte vendosur më herët. Erdha në këtë Botëror me synimin për ta fituar Kupën e Botës dhe, duke qenë se nuk ia dolëm, nuk ka kuptim të vazhdoj”, u shpreh tekniku spanjoll.
Eliminimi i Portugalisë mund të shënojë gjithashtu fundin e një epoke, pasi ky mund të ketë qenë Botërori i fundit për Cristiano Ronaldon. Sulmuesi veteran zhvilloi një tjetër paraqitje të vakët dhe qëndroi në fushë gjatë gjithë ndeshjes, pa arritur të bëjë diferencën.
Pas ndeshjes foli edhe mesfushori Bruno Fernandes, i cili pranoi se skuadra nuk ishte në nivelin e duhur.
Ndërkohë, Spanja siguroi kualifikimin në çerekfinale, ku të premten do të përballet me Belgjikën.