
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit i ka ftuar të gjithë mësimdhënësit dhe punëtorët e arsimit që t’i kthehen punës, duke filluar kështu vitin e ri shkollor.
“Duke e marrë me seriozitet obligimin tonë për realizimin e plotë të së drejtës për arsim, por edhe përmirësimin e kushteve dhe kompensimin e mesimdhënësve, kërkojmë nga të gjitha palët e përfshira, që të rishikojnë dhe balancojnë interesat dhe t’i kthehen që nesër procesit mësimor”, thuhet në një komunikatë për medie.
Sipas kësaj ministrie, pezullimi i mëtutjeshëm i procesit mësimor paraqet shqetësim serioz dhe veprim me pasoja afatgjate për nxënësit e të gjitha grupmoshave.
“Humbja e mësimit është cenim i të drejtës themelore të fëmijëve për arsimim dhe si e tillë është e papranueshme për MAShTI-n dhe për gjithë shoqërinë”, vazhdon më tej komunikata.
Sipas MAShT-it, ka indikacione se individë të caktuar nga hierarkitë politike apo të qeverisjes lokale, janë duke ushtruar presion të fuqishëm te mësimdhënësit dhe menaxhmenti i shkollave për të mos e filluar puna.
“Kërkojmë nga të gjithë që të mos ndërhyjnë në vendimin e mësuesve. E drejta për të qenë në grevë, ose për të punuar, duhet t’i garantohet secilit. Për më shumë, ky presion është edhe i dënueshëm sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet tutje në njoftimin e MAShT-it./Gazeta10