
Opinionisti politik Halil Matoshi ka komentuar caktimin e 16 shtatorit si datë për shpalljen e aktgjykimit në rastin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke e cilësuar procesin si të zvarritur dhe të ndikuar nga politika.
Duke folur në emisionin “Politiko” në Kanal10, Matoshi tha se procesi, sipas tij, nuk ka qenë një proces i pastër penal, por është përcjellë nga ndikime politike dhe konspirative.
“Zvarritja po ndodh ashtu siç ka filluar edhe vetë procesi – jo si një proces shumë i pastër penal, por si një proces i përcjellë me shumë politikë dhe konspiracion. Ne kemi pritur shumë më tepër transparencë, mbrojtje strikte të të drejtave të njeriut dhe një proces të drejtë, të paanshëm politikisht, me procedim të shpejtë penal”, tha Matoshi.
Ai shtoi se është shqetësuese që të akuzuarit vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim prej gati gjashtë vitesh pa një vendim të formës së prerë.
“Në këtë tribunal i kemi njerëzit të cilët, ende pa një vendim të prerë, po qëndrojnë në burg prej gati gjashtë vitesh. Prandaj po them se plagët tona nuk u shëruan kurrë pas çlirimit të Kosovës”, deklaroi Matoshi.