
Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku e ka mirëpritur vendimin e Policisë për konfiskim të përkohshëm të targave të automjeteve të paregjistruara.
Mazreku ka thënë se identifikimi i automjeteve të paregjistruara përmes stikersave ka kontribuar në uljen e ikjes ndaj kësaj përgjegjësie, shkruan Gazeta10.
Ai ka thënë se mosregjistrimi po i shkakton humbje kompanive deri në pesë milionë euro ndërkohë shtetit deri në 3 milionë euro.
“Përderisa përpara janë lëshuar vetëm gjoba, mesatarisht 14 mijë gjoba janë lëshuar çdo vit për automjetet e paregjistruara, katër deri në pesë milionë euro neve na shkaktojnë humbje, shtetit afër 3 milionë euro për shkak se nuk paguajnë taksa dhe tanimë është një temë që e ka vëmendjen e gjitha institucioneve”, ka thënë Mazreku për Ekonomia Online.
Tutje, ai ka thënë se në javën e fundit PK-ja ka konfiskuar targa të veturave që nuk ishin regjistruar që nga viti 2012./Gazeta10