
Për të gjashtin vit radhazi, Albi Mall shënoi Tetorin Rozë me një aktivitet kushtuar ndërgjegjësimit për shëndetin e gjirit, duke u ofruar grave mundësinë të kryejnë kontrolle falas dhe duke rikujtuar rëndësinë e diagnostikimit të hershëm.
Në kuadër të fushatës së Tetorit Rozë, Albi Mall organizoi edhe këtë vit aktivitetin për ofrimin e kontrolleve falas të gjirit, në bashkëpunim me Medical Park dhe AGS Corporation. Përmes kësaj nisme, synimi ishte të lehtësohej qasja në kontrolle shëndetësore dhe të përcillej një mesazh i rëndësishëm për çdo grua: kujdesi për shëndetin duhet të jetë pjesë e përditshmërisë.
Gjatë aktivitetit u realizuan mbi 150 kontrolle me ultrazë të gjirit (eko).
Disa rezultate e bënë të qartë rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe të vlerësimit profesional. Është e rëndësishme të theksohet se gjetjet e dyshimta nuk përbëjnë vetvetiu një diagnozë të kancerit; ato kërkojnë ekzaminime plotësuese për të përcaktuar natyrën e tyre.
Një kauzë që vazhdon përtej Tetorit Rozë, Për Albi Mall, ky aktivitet tashmë është kthyer në një nismë të përvitshme që synon të sjellë më pranë grave informacionin, kujdesin dhe mundësinë për të ndërmarrë hapa konkretë për shëndetin e tyre.
Përmes bashkëpunimit me Medical Park dhe AGS Corporation, aktiviteti synoi të kontribuonte në rritjen e ndërgjegjësimit për parandalimin dhe rëndësinë e diagnostikimit të hershëm, duke u dhënë grave mundësinë të marrin informacion dhe orientim profesional lidhur me shëndetin e gjirit.
Mesazhi i Tetorit Rozë nuk përfundon me mbylljen e një aktiviteti apo të një fushate. Ai vazhdon çdo ditë, përmes kujdesit ndaj vetes, kontrolleve të rekomanduara nga profesionistët shëndetësorë dhe vëmendjes ndaj çdo ndryshimi të pazakontë.
Sepse shëndeti nuk duhet të presë. Parandalimi fillon me ty.