Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Mbi 5 milionë euro subvencione nuk e shpëtuan Trepçën nga humbjet

Gazeta10
07 July 2026 - 13:50

Pavarësisht mbështetjes së vazhdueshme financiare nga Qeveria e Kosovës, ndërmarrja publike “Trepça” vazhdon të përballet me probleme të thella financiare.

Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2025 tregon se gjendja ekonomike e ndërmarrjes mbetet e brishtë, me humbje milionëshe, detyrime të larta dhe rrezik serioz për qëndrueshmërinë e saj afatgjatë, raporton Gazeta10.

Sipas raportit, gjatë vitit 2025, Trepça ka regjistruar humbje në vlerë prej 2.23 milionë eurosh. Në të njëjtën periudhë, ndërmarrja ka përfituar 5.32 milionë euro subvencione nga buxheti i shtetit, të cilat janë përdorur kryesisht për mbulimin e pagave të punëtorëve.

Megjithatë, mbështetja financiare nuk ka qenë e mjaftueshme për të përmirësuar pozitën ekonomike të ndërmarrjes.

Raporti evidenton se detyrimet afatshkurtra të Trepçës kanë arritur në 36.74 milionë euro, duke reflektuar vështirësi të vazhdueshme në përmbushjen e obligimeve financiare.

Zyra Kombëtare e Auditimit vlerëson se pamundësia për shlyerjen në kohë të detyrimeve po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostove gjyqësore dhe përmbarimore. Sipas auditorit, kjo situatë rrit rrezikun e mungesës së solvencës dhe vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë financiare të ndërmarrjes në periudhën afatgjatë.

Gjetjet e raportit nënvizojnë nevojën për masa konkrete në përmirësimin e menaxhimit financiar dhe krijimin e një strategjie të qëndrueshme, me qëllim stabilizimin e gjendjes ekonomike të një prej ndërmarrjeve më të rëndësishme publike në vend. /GAZETA10/

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.