
Kryeqyteti i Ukrainës, Kievi, u godit nga një sulm vdekjeprurës rus në orët e para të së hënës, një ditë para se lufta në Ukrainë të jetë një nga temat kryesore të diskutimit mes liderëve botërorë në samitin e NATO-s në Ankara, Turqi.
Raketa balistike dhe dronë goditën disa zona të Kievit, duke vrarë të paktën 19 persona në qytet dhe gjashtë të tjerë në rajonin përreth. Dhjetëra persona të tjerë mbetën të plagosur, sipas zyrtarëve të qytetit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kishte paralajmëruar vetëm pak orë më parë se Moska po “përgatit një sulm të ri masiv”. Sulmi i fundit ndodhi vetëm pak ditë pasi një tjetër sulm i ashpër rus ndaj Kievit vrau 30 persona të enjten e kaluar, duke u bërë sulmi i tretë më vdekjeprurës ndaj kryeqytetit që nga fillimi i luftës.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet të takohet me Zelenskyn gjatë samitit të NATO-s këtë javë. Të dy liderët zhvilluan edhe një bisedë telefonike të shtunën.
Intensiteti dhe vdekshmëria e sulmeve ruse ndaj Kievit gjatë javës së fundit tregojnë sfidën me të cilën përballet Ukraina për mbrojtjen e kryeqytetit të saj, ndërsa Rusia po përmirëson taktikat dhe po shton intensitetin e sulmeve.
Në prag të samitit, Zelensky e shfrytëzoi valën e sulmeve ndaj Kievit për të përsëritur kërkesën ndaj aleatëve që t’i furnizojnë Ukrainës raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot.
“Është me rëndësi jetike që bota – mbi të gjitha Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë evropianë – të dalin nga Samiti i NATO-s në Ankara me vendime të forta në mbështetje të mbrojtjes sonë ajrore,” tha ai, shkruan CNN.