
Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar Betejën e Morinës, e cila u zhvillua më 7 korrik 1998 në Zonën Operative të Dukagjinit.
Në një postim në Facebook, Haradinaj ka thënë se së bashku me familjarë të dëshmorëve dhe bashkëluftëtarë ka nderuar kujtimin për trimat që ranë në Zonën Operative të Dukagjinit.
“Sot, së bashku me familjarë të dëshmorëve dhe bashkëluftëtarë, nderuam kujtimin për trimat që u përjetësuan atë ditë: Muhamet Ukshini, Shkëlzen Syla, Blerim Ukshini, Ahmet Pulatini, Fisnik Salihu, Nezir Elezaj, Ymer Bytyqi, Arben Ukshini dhe Sylejmon Abdyli. Në përvjetorin e rënies, nderuam gjithashtu kujtimin për dëshmorin Agim Mazrekaj. Ai ishte luftëtar i dalluar, i vendosur dhe gjithmonë i gatshëm për betejë dhe për çdo detyrë ushtarake.
Rënia e tyre ishte një goditje e rëndë për rrjedhën e luftës, por njëkohësisht u bë frymëzim për mijëra të rinj që iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e çuar më tej idealin e shenjtë të lirisë. Nderim i përjetshëm për luftëtarët e lirisë” ka shkruar ai.