Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Mbushen me nxënës disa banka në Kamenicë

Gazeta10
12 September 2022 - 22:32

Raporti: Egzona Shala/Kanal10

Katër shkolla në Komunën e Kamenicës ia kanë filluar procesin mësimor. Nga gjimnazi “Ismail Qemali” kanë thënë se 90 për qind e mësimdhënësve i janë përgjigjur thirrjes për ndërprerje të grevës dhe sipas tyre, 70 për qind e nxënësve po vijojnë mësimin. E nga drejtoria e Arsimit kanë mohuar se kanë ushtruar presion për fillim të procesit mësimor dhe se mësimdhënësit me vetë dëshirë kanë filluar mësimin, shkruan Kanal10.

Për dallim nga shumica e institucioneve arsimore në Kosovë, të hënën, zilja është dëgjuar në katër shkolla të Kamenicës.

Pavarësisht grevës së përgjithshme në këtë sektor, disa mësimdhënës dhe nxënës i janë kthyer procesit mësimor në komunën që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në mesin e shkollave që kanë nisur mësimin është edhe gjimnazi “Ismail Qemali”.

Drejtori i shkollës, Selami Klaiqi ka thënë se thirrjes për fillim të mësimit i janë përgjigjur 70 % të nxënësve, derisa sipas tij, 10 % e mësimdhënësve kanë vazhduar me  mbajtjen e grevës.

Procesi mësimor ka filluar edhe në shkollën “Abdullah Krashnica”.

Sipas kryetarit të këshillit grevist, Arsim Thaçi, cikli i ulët deri në klasën e 5-të janë duke mbajtur mësim, derisa mësimdhënësit e klasave 6 deri 9 janë duke vazhduar grevën.

Ai ka thënë se pavarësisht presioneve nuk do të tërhiqen deri në realizim të kërkesave të tyre.

E nga Drejtoria e Arsimit në Kamenicë kanë thënë se deri më tani në këtë komunë janë katër shkolla të cilat kanë filluar procesin mësimor.

Drejtori Afrim Dervishi, ka mohuar të jetë ushtruar presion në drejtoritë e shkollave për të filluar mësimi.

Greva ka nisur më 25 gusht, derisa në shumicën e shkollave dhe komunave të vendit është duke vazhduar ky veprim sindikal, me gjithë thirrjet për kthim në procesin mësimor.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.