
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku në një lidhje direkte në Politiko, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për zvarritje të qëllimshme të procesit për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se opozita ka qenë e gatshme dhe konstruktive që nga fillimi.
Sipas Lushtakut, qëllimi i opozitës ka qenë i qartë: të kontribuojë në zgjedhjen e presidentit përmes një procesi kushtetues, demokratik dhe me kompromis politik, në mënyrë që institucionet të kalojnë më tej dhe të fokusohen në problemet e qytetarëve.
Ai tha se, pavarësisht kësaj qasjeje, Vetëvendosje nuk ka treguar vullnet për të arritur një marrëveshje të tillë.
“Qëllimi ynë ka qenë shumë i qartë. Ne kemi dhënë mundësinë dhe alternativat që jemi proaktivë për zgjedhjen e presidentit dhe të kalojmë në një fazë tjetër ku merremi me hallet dhe shqetësimet e qytetarëve. Po shohim qartë se Vetëvendosje nga fillimi nuk ka dashur që të vijë kjo ditë që të zgjidhet presidenti në formë kushtetuese, demokratike dhe me kompromis politik, që është për të mirën e vendit”, deklaroi Lushtaku.
Ai shtoi se ka pasur edhe alternativa konkrete nga opozita, duke përmendur propozimin e bërë për Vjosa Osmanin, si një nga emrat e mundshëm për presidente, si dhe kërkesën që kandidati të vijë nga opozita me “emër dhe mbiemër”.
Lushtaku përfundoi se zvarritjet janë bërë për arsye që i di vetëm Vetëvendosje.
Deklarata e plotë: https://youtu.be/31NwmZWYdeA