Kontaktoni

info@gazeta10.com

Politiko

Mesazhi i parlamentarëve kosovarë nga Washingtoni: Do të alarmojmë për rrezikun e terrorizmit nga Serbia!

Gazeta10
05 December 2024 - 16:33

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, Arben Gashi dhe Rashit Qalaj kanë folur në “Politiko” me Kushtrim Sadikun për pjesëmarrjen dhe përvojën në Forumin e Inteligjencës Parlamentare, i cili po mbahet në Washington, ndërsa kanë theksuar se në sesionin e së mërkurës do të shfaqin shqetësimet lidhur me sigurinë nacionale.

Drejtpërdrejt nga Washingtoni, Gashi ka bërë të ditur se të martën kanë disktuar për sigurinë globale, shërbimet e inteligjencës, luftën kundër terrorizmit si dhe ndikimin kinez.

“Problemet kryesore që u diskutuan sot në ditën e parë kanë të bëjnë me sigurinë globale dhe ndikimi kinez”, ka thënë Gashi në “Politiko” me Kushtrim Sadikun.

Tutje, ai ka bërë me dije se ka pasur edhe takime me presidentë të vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën.

“Patëm takime sporadike me vende që nuk e kanë njohur Kosovën. Takova presidentin e parlamentit Filipinas. Patëm një diskutim interesant”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se delegacioni kosovar në Washington do t’i paraqesë problemet me të cilat po përballet Kosova në vazhdimësi, duke përmendur në veçanti edhe sulmet në veri të vendit.

“Folëm edhe për rastin e Kosovës ku janë problemet e fundit që po shfaqen në vazhdimësi ku është edhe tendencë e Rusisë për ta destabilizuar këtë pjesë të Evropës. Si delegacion po mundohemi që problemet që i ka Kosova t’i shfaqim”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj teksa ka folur për Forumin në Washington, ka pasur kritika për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

I pyetur se a kanë qenë në dijeni delegacionet e tjera për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok, Qalaj ka thënë se ato nuk kanë pasur informacione të mjaftueshme për shkak se nuk janë informuar nga MPJD.

“Sa i përket pjesë se a kanë njohuri anëtarët e tjerë që janë këtu për incidentin në veri. Mendoj që jo absolutisht sepse nuk është informuar mjaftueshëm faktori ndërkombëtar nga Ministria e Punëve të Jashtme”, ka thënë Qalaj.

Tutje, ai ka vlerësuar se sulmi në Zubin Potok ka qenë akti më i tmerrshëm që i ka ndodhur Kosovës që nga themelimi i shtetit.

“Ka qenë akt më i tmerrshëm që ka ndodhur në Kosovë që nga themelimi i shtetit”, ka thënë Qalaj.

Për këtë çështje, Qalaj ka theksuar se Serbia duhet të dënohet dhe se tashmë nuk mjafton vetëm arrestimi i Milan Radojçiq.

“Mendoj që vetëm çështja e ekstradimit të grupit terrorist në krye me Radojçiqin nuk do të jetë zgjidhja e problemit. Mendoj që gjithsesi që Serbia duhet të dënohet nga faktori ndërkombëtar”, ka thënë Qalaj.

Tutje, Qalaj ka akuzuar kryeminstrin e vendit, Albin Kurtin se po e shfrytëzon veriun për fushatë elektorale.

Sipas Qalajt, qeverisë i takon të përkujdeset për procesin e rregullt zgjedhor, ndërkaq atyre të sigurisë për mbajtjen e rendit.

“Nuk ka dyshim që çështja e veriut është duke u shfrytëzuar edhe nga kryeministri i vendit edhe nga presidenti serb. Insitucionet e Kosovës duhet të jenë vigjilent që të mos na ndodhin gjëra të tilla”, ka thënë Qalaj në “Politiko” me Kushtrim Sadikun.

I pyetur për publikimin e arsenalit të armëve në veri, Qalaj ka thënë se vizita e Kurtit dhe publikimi i armëve ka qenë një gabim i madh, duke e cilësuar si veprim me qëllime populiste dhe paraelektorale.

“Vetë fakti i vizitës së kryeministrit në depon e armëve ushatarake të FSK-së ka qenë gabim i madh. Publikimi i arsenalit i armëve është bërë me qëllime paraelktorale”, ka thënë ai.

Kritika për Qeverinë e Kosovës pati edhe Gashi, i cili tha se institucionet e Kosovës nuk janë në ditët më të mira në raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Sa i përket çështjeve të politikës ditore dhe orientimit momental politik ne e dijmë se Qeveria e Kosovës nuk është në momentet me të mira në raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Normalisht duhet të punohet shumë dhe sidomos ne aspektin e lobimit dhe përfaqësimit të ambasadës këtu sepse kjo çalon shumë kohëve të fundit”, ka thënë Gashi në “Politiko” me Kushtrim Sadikun.

Sipas Gashit, siguria nacionale duhet t’i bashkojë të gjithë, pasi mund të vihet në pikëpyetje ekzistenca e shtetit.

“Siguria nacionale është e ndjeshme për të gjithë në të gjitha rrethanat. Është çështje e cila në të gjitha rrethanat duhet të na bashkojë. Mendoj se ky mentalitet nuk ekziston te kryeministri Kurti dhe te LVV-ja dhe ky është problem shumë i madh për Kosovën, theksoi Gashi.

Ndryshe, delegacioni i Kosovës po merr pjesë në Forumin e Inteligjencës Parlamentare në Washington, ku po mbahet përgjatë këtyre ditëve ndërsa po diskutohet për sfidat globale të sigurisë dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar. /Gazeta10/

Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.