
Policia e Kosovës ka nënshkruar kontratë në vlerë prej 18 mijë e 373 eurosh për realizimin e punëve shtesë në objektin e Agjencisë së Regjistrimit Civil (ARC) në Zubin Potok.
Sipas njoftimit zyrtar për nënshkrimin e kontratës, aktiviteti i prokurimit është iniciuar më 10 gusht 2026, ndërsa kontrata është nënshkruar më 28 gusht 2026.
Kontrata është lidhur me Grupin e Operatorëve Ekonomikë “Pro & Co Group” SH.P.K. dhe “2A Group” SH.P.K., me adresë në Llapllasellë të Graçanicës.
Në këtë procedurë të prokurimit është pranuar vetëm një ofertë, e cila është vlerësuar si e përgjegjshme. Kriteri për dhënien e kontratës ka qenë çmimi më i ulët.
Vlera e parashikuar e kontratës ishte 18,420.61 euro, ndërsa ajo është nënshkruar për 18,373.00 euro dhe financohet nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës.
Punët sipas kontratës duhet të përfundojnë brenda 35 ditësh, ndërsa në kontratë nuk parashihet nënkontraktimi.