
Milani raportohet se ka shprehur interesim për të afruar në radhët e veta sulmuesin Folarin Balogun gjatë afatit kalimtar veror.
21-vjeçari i cili së fundmi mori vendim të luajë për kombëtaren e Amerikës, ka rënë në sy të shumë ekipeve të mëdha evropiane shkaku i performancave të mira në ligën franceze me ekipin e Reims, ku ka shënuar mbi 20 gola në të gjitha kompeticionet këtë sezon.
Kartoni i Balogun është në pronësi të Arsenalit, por ai pritet që të shtyej për një largim përfundimtar nga “Emirates” në kërkim të një aventure të re.
Sipas mediave italiane, gjiganti italian Milan, është gati për të bërë një ofertë për të.
“Rossonerët” janë në kërkim të një sulmuesi të dëshmuar pasi Zlatan Ibrahimovic me shumë mundësi po e luan sezonin e tij të fundit me fanellën kuq e zi, ndërsa Olivier Giroud ka mbushur 37 vjet.
Balogun është profili që po pëlqehet nga trajneri Stefano Pioli, teksa Milan është në bisedime për të zgjatur kontratën me portugezin Rafael Leao.
Arsenali janë të gatshëm të dëgjojnë ofertat që vijnë në drejtim të tyre, dhe po kërkojnë rreth 30 milionë euro për ta lënë të lirë lojtarin, çmim ky që po konsiderohet i lartë nga ekipi italian.
Përveç Milanit, destinacion i mundshëm për Balogun është edhe Bundesliga me Leipzig si klubin më të interesuar.