
Skuadra e Milanit ka siguruar edhe shërbimet e sulmuesit të krahut, Samuel Chukwueze, i cili do të zyrtarizohet gjatë kësaj jave, ka njoftuar të martën “Gazzetta dello Sport”.
Bëhet e ditur se marrëveshja tashmë është arritur mes të gjitha palëve dhe Milani do t’i paguajë Villarrealit 28 milionë euro për 24-vjeçarin.
Chukwueze pritet të firmosë kontratë pesëvjeçare me Milanin dhe do të jetë përforcimi i shtatë i ekipit italian në këtë afat kalimtar.
Chukwueze ka pasur paraqitje fantastike edicionin e shkuar për Villarrealin, ku në 50 ndeshje të luajtura ka shënuar 13 gola dhe ka bërë 11 asistime.