Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Ministria e Sveçlës i jep tenderin e byfesë kompanisë që e ka në gjykim ish zyrtarin për falsifikim dokumenti

Gazeta10
31 August 2022 - 1:09

Ministria e Punëve të Brendshme vitin e kaluar kishte lidhur kontratë me kompaninë NTB-ING, SHPK për renovimin e byfesë dhe kulmit të saj, renovim i cili i kushtoi më shumë se 40 mijë euro, megjithëkëtë kjo kontratë u bë dy muaj pasi njërit nga përfaqësuesit e kompanisë, Tahir Sopa, i ishte ngritur aktakuzë nga Prokuroria për mashtrim. I njejti, sipas përfaqësuesve të tjerë më nuk është pjesë e kësaj kompanie.

Raporti: Luljeta Beselica / Kanal 10

Më 30 shtator të vitit të kaluar Ministria e Punëve të Brendshme kishte lidhur kontratë me kompaninë ‘NBT-ING’, me seli në Suharekë, për renovimin e bufesë dhe kulmit të saj.

Ky renovim i kushtoi ministrisë 42 mijë e 28 euro.

E në korrik, pra dy muaj para se të lidhej kjo kontratë mes MPB-së dhe kësaj kompanie, përfaqësuesit të NTB-ING, SHPK, Tahir Sopa, i ishte ngritur aktakuzë nga Prokuroria për veprën penale – keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.

Sopa, më 2020-ën, kishte aplikuar në tenderin e shpallur nga KPK-ja, për renovimin e objektit të Prokurorisë Specilale dhe se njëra nga kushtet për përmbushjen e kontratës ka qenë një deklaratë që vërteton disponueshmërinë e 200 mijë eurove në llogarinë bankare, si vlerë për të siguruar tenderin.

“Në aktakuzë thuhet se Sopa për vërtetimin e disponueshmërisë së 200 mijë eurove për përkrahjen e kompanisë “NBT ING SHPK” kishte paraqitur një letër-përkrahje kinse të lëshuar nga Banka “NLB” e cila ka rezultuar e falsifikuar.

Sopa me këtë rast dyshohet se i kishte shkaktuar dëm buxhetit të KPK-së në mënyrë që duke paraqitur dokumentacion të rrejshëm kishte fituar tenderin në vlerë prej 811 mijë e 372 euro e 13 centë dhe kështu akuzohet se me vetëdije kishte shkelur rregullat e prokurimit publik’.

Përfaqësuesit e tjerë të kësaj kompanie i kanë thënë shkurt televizionit se Sopa ka qenë pjesë e NBT-ING, por që më nuk është, duke shtuar që nuk e di sakt se prej cilës kohë nuk është më në këtë kompani pasi që i njëjti është në proces gjyqësor.

Në anën tjëtër MPB-ja në një përgjigje me shkrim ka thënë se nuk kanë qenë në dijeni lidhur me këtë aktakuzë, përderisa ka shtuar se kjo kompani nuk ka qenë në listën e zezë të operatorëve ekonomik nga OSHP-ja.

“Divizioni i Prokurimit i MPB-së nuk ka informacione për “NBT -ING” SH.P.K. – Shirokë lidhur me dyshimet tuaja. Vlerësimi dhe verifikimi i dokumentacionit të kërkuar për këtë aktivitet të prokurimit është  bërë me kujdes, sepse është obligim që të bëhet gjatë vlerësimit të çdo tenderi dhe në këtë kohë tenderuesi fitues nuk ka qenë në Listën e zezë-Lista e bizneseve të ndaluara që nuk janë të pranueshme nga OSHP-ja”, thuhet në përgjigjen e këtij dikasteri.

Përderisa OSHP-ja në një pëegjigje me shkrim ka thënë se kompania në fjalë nuk mund të futet në listen e zezë nëse ndonjërit nga përfaqësuesit është ende gjykim.

‘Sipas nenit 65 të LPP, një kompani është e papërshtateshme kur ka një Aktgjykim që pronarin apo drejtorin e kompanisë e shpallë fajtor për një vepër penale. Në rastin konkret nëse ende nuk ka nje vendim përfundimtar të gjykatës kemi të bëjmë me prezumim të pafajësisë, por nëse AK-ja, ka parashtruar kërkesë për futjen e kompanisë në fjalë në listën e zezë dhe për këtë ka bashkangjitur prova, atëherë OSHP-ja, do të veprojë konform dispozitës të cekur më lartë’.

Kronika e plotë u transmetua në emisionin Prime Time të Kanal 10.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.