
Konspiracionisti kosovar, Arianit Sllamniku, ka dhënë teorinë e tij për rastin e Faton Hajrizit, i cili dyshohet se u vra në Serbi nga autoritetet serbe të cilat i ishin vënë pas për ta arrestuar për vrasjen e një polici serb në Loznicë më 18 korrik.
Në një television të hënën, Sllamniku është shprehur se e gjithë kjo situatë ka ndodhur me tendencë të Serbisë për të larguar vëmendjen nga nënshkrimi i marrëveshjes mes kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për partneritetin strategjik për lëndët e para.
Sipas tij, Loznica, vendi ku ka ndodhur vrasja e policit serb, i është falur gjermanëve sepse në këtë regjion ka minerale të litiumit, që shërben si lëndë e parë për prodhimin e baterive.
“Në ditën e vrasjes së policit serb, është bërë nënshkrimi i marrëveshjes Scholz, bundes-kancelarit gjerman dhe Vuçiq. Në ditën e nënshkrimit. Pse Loznica? Sepse nënshkrimi ndërmjet Scholzit dhe Vuçiqit ka ndodh pikërisht koncesioni për Loznicën. Loznica duhej falur dhe iu ka falur gjermanëve. Loznica iu ka falë gjermanëve, sepse është regjion që ka minerale të litiumit, lëndën e parë për prodhimin e baterive. Kjo është punë e shërbimeve sekrete serbe”, është shprehur Sllamniku.