Duhet Lexuar

Miqësi vs Belâ!

Gazeta10
31 Dhjetor 2023 - 19:07

Në vitin e mbrapsht kadarean, do tipa injorantë po me veten n’huj, nisën me e lypë luftën, masi ajo nuk shkojke tek ta, n’fund t’dyjâsë!

Vitin 2023 At Fishta kish me e mallkue: “Hângert vedin, Zot, me dhamë!

Hik, moj Zânë, mos t’rrijm tue namë…”

Shkruan: Halil Matoshi

1.

Viti i Ri rëndom hyn me hez, drita e rrëmujë euforie, kalon nepër nostalgji (gjithmonë e kudo secilit i mungon akëcili) dhe del pa bujë, me njifar melankolia të lehtë.

Si tue u turpnue, zvarrë!?

Rendi rikthehet bashk me vetminë.

Çdo gjâ merr trajtën e vet të akullt e fake. Veç dashtunia dhe miqësia e vërtetë, ato s’qajnë kokën për botën në belâ.

Krijojnë paqe.

2.

Ftyrat me të cilat shiheshim ngrohtë javën e fundit të dhetorit, na duken veç maska – disa do të kishim pasë qef me i pa lëkura edhash t’premë, të regjuna, e t’varuna n’çengele me u thâ!?

Shumë njerëz, pa asnji lloj shprehje fytyre (pa emocione, as të marres, as frikës dhe as mëshirës) me të cilët cakrruem gotat në ndejat e fundvitit, atë tingëllimë kristalesh, sikur nji grue sqimtare kërcët gishtat, gjatë nji vallje, me mujtë e kthejnë në kleçkë për ne që sapo u jemi qasë!?

Dhe besimtarët e rinj, të “Kishes së re” – popullizmit agresiv, munen me e mohu që sapo kanë pi me ty, ngase jetojmë në epokën e pas të vërtetës. Pra vulgus-it nuk i interesojnë faktet, por besimet.

Ajo në çka beson turma e ka zavendësu faktin.

Teoria e lojnave e ka zavendësu argumentin.

Hilja – të vërtetën.

Deep fake.

Ajo madje âsht pronësu nga nji lider i kudondodhun, nga nji klerik apo ideolog i ri.

Lideri belaçor (Patriarku i “Kishës së re”), pasrevolucionari që jetën e ka bosh, do me e përmbushë atë, tue majtun nji fitil mbi bure baroti!?

Kjo pamje shëmbëllen në nji si karikaturë ballkanike e Oppenheimer-it: Me dhez belâ!

3.

Jetojmë në epokën kur djalli vishet me “Prada” dhe kercënon me përdorimin e atributit parak të tij, që e përshkruen që në fillesë: flakën (efektin Oppenheimer); shkencën brutale që tue ecë përdore me djallin (e përdorun nga mendje e instrumdntalizueme kriminale) ngadhnjen mbi mendimin humanist. Mbi miqësinë!

4.

Miti i Janarit (Janus) i ka dy ftyra. Dritës dhe territ do të mendoni!? Jo. Dritës dhe flakës!

Fillimit dhe fundit.

Engjullit dhe djallit.

Miti romak, thotë se Janusi âsht perëndia duale e portave në kohë.

Në janar nis rëndom (sërish) ngutja për dikah, që âsht destin.

Maktub! E shkrueme â!

Rikthimi i përhershëm i të njâjtes, që flet për kohën e cila përsëritet në një unazë të pafundme dhe se të njâjtat ngjarje do të vazhdojnë të ndodhin saktësisht në të njâjtën mënyrë, përjetësisht. Në Greqinë e lashtë, koncepti i kthimit të përjetshëm lidhej më së shumti me stoicizmin, shkollën e filozofisë e themeluar nga Zeno.

Stoikët besonin se universi shkatërrohet dhe rilind periodikisht, dhe se çdo univers është saktësisht i njâjtë me atë të mëparshëm. Mas shekujsh (Sh’na Augustini e kish quejtun blasfemi)

u ringjall (në shekullin e 19-të) nga filozofi gjerman Friedrich Nietzsche, derisa ezoteriku rus P. D. Ouspensky, argumentoi se ishte e mundun me u thy cikli i kthimit. (…)

Fishekzjarret rrallohen tue i lëshu vend qiellit p’ej tungji  t’janarit, me u ngjitë sakaç me sterrën e tokës. Nis ngutja për diku, mas diçkahit (edhe me i rrëmby tjetrit pak nga lumtuniâ e tina, tue poshtnue, sha e bullizu…

-Për ku po ngutesh o ti shoq? – e pyes.

-Drejt të pashmangshmës, dekë, përgjegjem vet.

Qe pse njeriu âsht qenie tragjike.

5.

Bashkësia njerëzore lidhet në miqësi, jashtë familjës e vllaznisë, në nji komb dhe shoqni politike harmonike.

Por, që tek “Shteti”, Platon heton sindromat e sëmundjës (natyra e gjânavet) kur bashkësia nuk e çon mirë ndërmjet vete (nuk bâhet razi!?) dhe këtë raport Plato e cilëson si patologji të bashkësisë, kurse Nietzsche zvetënim.

Në natyrë forma primordiale e bashkësisë âsht vllaznia, vëlla me lindje, vëlla për nga armët, vëlla në të drejten… E motra? Bashkësia njerëzore e shtypë motren. Karl Schmit nuk e përmend fare motrën në dejtësi – dhe kjo për mue paraqet nji nga patologjitë e bashkësisë. Tek miqësia – manej vllaznisë – motra nënkuptohet.

Miqësia nuk ka gjini.

Miqësia e vërtetë në liri – me vullnet – âsht shtysë e ndërtimit të demokracisë dhe solidarësisë në diversitet.

Politikat e miqësisë shkojnë përtej teleia philia-s greke (tërheqjes së të rritunve); ato tek tributë manifestoheshin me dhurata; Nëse ato refuzoheshin, prite belanë! Edhe sot, në diplomaci shkëmbehen dhurata. Ato pos mesazhit simbolik për pranim në miqësi, përmbajnë edhe synime psh. nji revolver synon me lidhë besën, vëlla për nga armët, kurse aleanca mësynë miqësinë afatgjatë.

Miqësia e kânme (e vërtetë) për Jacqes Derrida-n mund të jetë vetëm njerëzore, por mbi të gjitha, dhe në të njâjtën kohë, për njeriun nuk ka asnji mendim nëse ai nuk âsht nji mendim i tjetrit dhe si i tillë, mendim i të vdekshmit.

Sëkëndejmi pa mikun (tjetrin) vdes mendimi dhe njeriu pa mendim âsht ende-jo-njeri. (Nietzsche).

6.

Gzue megjithatë të gjithë miqve. Miqve të lirisë!

Flasim për njato gjânat e bukura. Nji nga to âsht dashtunia me miqësi.

Miqësia punon fort me shmangun belanë / belatë!?

Mos t’rrimë tue nâmun!

Nga Rubrika
Opinion 10
10 Tetor 2024
Opinion 10
02 Tetor 2024
Opinion 10
02 Tetor 2024
Më të lexuarat
Nga Rubrika
Opinion 10
10 Tetor 2024
Opinion 10
02 Tetor 2024
Opinion 10
02 Tetor 2024

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.