
Lideri i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, e ka kritikuar Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për takimin që ka mbajtur me kryetaren e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trëndafilova.
Molliqaj ka thënë se ky takim ishte i fshehur, dhe se veprimi i Kurtit vjen për të mos ndodhur protesta e paralajmëruar nga partia e tij për këtë vizitë raporton Gazeta10.
“Pas mesazhit të qartë që qytetarët ia dhanë Trëndafilovës, që n’Kosovë do ta presim veç me protesta, Kurti po përpiqet ta normalizojë atë. Takimi i fshehur larg publikut është përpjekje e dëshpëruar për legjitimim të kësaj vizite. E ka takuar sepse kjo gjykatë po ia mbanë gjallë narrativen për luftën”, ka shkruar ai fillimisht në Facebook.
Molliqaj më tej, ka thënë se Kurti duke i pranuar vizitat e Trëndafilovës, po ia njeh legjitimitetin Gjykatës.
“Sot qytetarët e shumtë që ishin mobilizuar për protestë, e detyruan Gjykatën që të dorëzohet nga synimi i saj që të bëjë propagandë. Ndërsa Kurti, përkundër vullnetit qytetar, e paska ngushëlluar atë, duke i garantuar që Qeveria e tij ia njeh legjitmitetin dhe ia pranon vizitat e propagandën. Por shumë shpejt do t’i tregojmë edhe Kurtit edhe Gjykatës Speciale që qytetarët e dojnë dhe besojnë në luftën e vet çlirimtare”, ka shkruar Molliqaj./Gazeta10