
Habib Rexha, 31-vjeçari që dyshohet se vrau Arjan Gosën dy ditë më parë në Kavajë është vetëdorëzuar në polici.
Policia bëri me dije se krahas kërkimeve intensive të zhvilluara për kapjen e shtetasit Habib Rexha, strukturat e Policisë negociuan dhe me familjarët me qëllim dorëzimin e këtij shtetasi.
“Si rezultat i veprimeve kërkimore, pamundësisë së largimit dhe negociatave me familjarët, shtetasi Habib Rexha u vetëdorëzua në Komisariatin e Policisë Kavajë”, tha policia.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18.30 të së dielës, në lagjen Nr. 1, në Kavajë.
Arjan Gosa ishte me të atin e po pinte kafe në një lokal, në momentin që Rexha ka shkuar dhe e ka qëlluar me një plumb në kokë.
Më pas 31-vjeçari është larguar me këmbë nga vendi i ngjarjes.
Pista kryesore është ajo e hakmarrjes për ngjarjen e ndodhur në mars ku mbeti i vrarë vëllai i viktimës dhe Altin Rexha.
Edmond Gosa humbi jetën në 29 mars 2023 në Kavajë pasi u konfliktua me Altin Rexhën, ku edhe ky i fundit mbeti i vrarë. Gosa e goditi me thikë, ndërsa Rexha e qëlloi me armë. Si pasojë e plagëve që i shkaktuan njëri-tjetrit, të dy humbën jetën./euronewsalbania