
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka reaguar pas lajmit se një shkollë në Suharekë ia ka ndaluar mbulesën arsimtares së matematikës në këtë shkollë, Remzie Lezi.
Muharremaj ka kundërshtuar këtë vendim duke thënë se askush nuk është mbi ligjin, dhe se bordi i prindërve nuk është institucion që punëson apo largon mësimdhënës nga puna, raporton Gazeta10.
“Në qoftë se ndonjë mësimdhënës ka rast disiplinor, atëherë është Komisioni Disiplinor që e trajton rastin dhe i sugjeron drejtorit, respektivisht mua si kryetar për veprimet institucionale. Deri në një rast të tillë, të gjithë mësimdhënësit ushtrojnë detyrat e veta konform procedurës së lartpërmendur”, ka thënë fillimisht ai.
Më tej, Muharremaj ka treguar se aktualisht gjendet jashtë vendit, por që të hënën do ta trajtoj rastin me përputhje me ligjin, dhe t’i jap fund këtij debati që ai e ka quajtur të panevojshëm.
“…në përputhje me ligjin, me urdhërin administrativ të Ministrisë së arsimit dhe interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe kështu do t’i japim fund edhe debatit krejt të panevojshëm për këtë temë”, ka shkruar ai.
Muharremaj ka thënë se gjuha linçuese dhe ofenduese e ka vetëm një synim “përçarjen në mes nesh dhe dëmtimin politik të Komunës dhe sukseseve të arritura deri më tani”./Gazeta10