
Raporti:Arbenita Ilazi
Institucionet Publike Shëndetësore në Kosovë po vazhdojnë të përballen edhe më tej me mungesë të stafit. Për shkak të ikjes së një numri të madh të punëtorëve shëndetësorë nga vendi, janë ngritur shqetësime se disa reparte në QKUK e spitale rajonale mund të mbyllen. Njohës të shëndetësisë kanë kërkuar nga ekzekutivi që të merr masa sa më shpejt për të parandaluar ikjen e stafit.
Mjekë e infermierë në institucionet publike shëndetësore në vend po vazhdojnë të ngrisin shqetësime për mungesën e stafit, e rrezikun e mbylljes së disa reparteve.
Infermieri në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Fitim Havolli ka thënë se Kosova është në krizë për staf shëndetësor, sidomos për anesteziolog.
Ai ka thënë se në një të ardhme të afërt vendi rrezikon të mbetet pa një numër të madh të profesionistëve shëndetësorë, për shkak të largimit të tyre nga vendi.
Shqetësuese ikjen e punëtorëve shëndetësorë e ka vlerësuar edhe mikrobiologu, Lul Raka.
Ai ka thënë se qeveria duhet të marrë masa që të ndalojë ikjen e stafit.
Ndërsa, gazetari i Shëndetësisë, Bujar Vitia ka ngritur shqetësime edhe për numrin e madh të punëtorëve shëndetësorë që po e lënë punën në sektorin publik, për të punuar në atë privat për shkak të pagave të ulëta.
Sindikata e punëtorve të QKUK-së pati paralajmëruar se gjatë vitit të ardhshëm 1 mijë e 500 infermierë do të lëshojnë vendin. / Kanal10