
Raporti: Egzona Shala
Muri i cili është ndërtuar për të parandaluar rreziqet e mundshme të qytetarëve kalimtar, është kthyer në një hapësirë për deponi mbeturinash. E një gjë e tillë po i shqetëson banorët e asaj zone të cilët thonë se duhet të ndërmerren masa më të rrepta ndaj atyre që hedhin mbeturina në vende të papërshtatshme. Nga komuna kanë thënë se do të bëjën rregullimin e hapësirës më zhavorr dhe do të largojnë mbetjet.
Ky mur mbrojtës që u ndërtua në rrugën “Sali Bajra” në Kaçanik, për të parandaluar rreziqet e qytetarëve kalimtar, tani po shfrytëzohet si ambient për deponi të mbeturinave.
Mes të murit të vjetër dhe atij të ri qytetarët kanë hedhur mbeturina duke e kthyer atë në zonë të rrezikshme ndaj infektimeve.
Për këtë rrugë e cila është e frekuentuar nga qytetarët dhe fëmijët, banorët thonë se një pamje e tillë nuk është aspak e mirë.
E disa qytetarë të tjerë thonë se duhet të merren masa më të rrepta ndaj qytetarëve të pandërgjegjshëm.
Lidhur me këtë çështje nga Komuna e Kaçanikut kanë thënë se do të aranzhojnë kompaninë për largimin e tyre.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Ramadush Osmani ka thënë se do të bëjnë mbushjen e hapësirës me shtresë të zhavorrit.
“Në këto raste kur evidentojmë deponi ilegale të mbeturinave, ne kemi marrëveshje me KRM “Pastërtia” dhe e angazhojmë menjëherë për largimin e tyre. Në këtë lokacion pasi është ndërtuar muri mbrojtës ne si drejtori planifikojmë rregullim të hapësirës publike, mbushjen me shtrese zhavorr dhe krijim të mundësive për parkingje (aty ku lejojnë kushtet teknike) dhe vendosjen e shenjëzimit horizontal dhe vertikal”.
Ndryshe me probleme të ngjashme ballafaqohen shumë komuna të Kosovës. /Gazeta10/