Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Mustafa: Projekt-buxheti i vitit 2023 është jozhvillimor

Gazeta10
16 November 2022 - 11:25

Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë Arben Mustafa, në një konferencë për media ka kritikuar qeverinë e Kosovës për mungesë vizioni në hartimin e projekt-buxhetit për vitin 2023.

Mustafa, tha se ky projekt-buxhet nuk i reflekton kërkesat e qytetarëve të Kosovës në ekonomi, krijim të vendeve të punës dhe ngritje të kualitetit të jetës, raporton Gazeta10.

“Ky buxhet më së shumti mund të quhen një kopje e dobët e vitit 2022, sepse në shumicën e rasteve është një përsëritje e vitit 2022. Këtij buxheti i mungon ambicia zhvillimore, i mungon orientimi se ku do të jetë Kosovë në fund të vitit 2023 – se çfarë Kosove do të kemi në fund të vitit 2023”, theksoi ai.

Mustafa shtoi se projekt-buxheti i propozuar në asnjë mënyrë nuk reflekton një strategji të karakterit zhvillimor për vendin, por kryesisht është i bazuar në shpenzime sot-për-sot, të cilat nuk krijojnë kushte për zhvillim afatgjatë.

“Kjo Qeveri assesi nuk po mundet të dalë me një vizion konkret që tregon se ku synon ta çojë vendin në vitet e mbetura të mandatit të saj. Nga ajo që po shihet, kjo Qeveri do të mbahet mend vetëm për shpenzime enorme për nisma të pa menduara mirë, me efekte shumë afatshkurtra, të cilat nuk do të lënë gjurmë në rritjen afatgjatë të mirëqenies së qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

Sipas Mustafës, buxheti i këtij viti po rezulton më i lartë në krahasim me vitet paraprake kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve në ekonomi dhe jo për shkak të rritjes së aktivitetit ekonomik.

“Raporti i projekt-buxhetit ka paraparë një rritje ekonomike prej 5.5% për vitin 2023, që paraqet pothuajse dyfishim të normës së rritjes ekonomike nga viti aktual, e qe nuk përkon me parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore si institucionet më kredibile e të cilat sugjerojnë se rritja ekonomike në vitin 2023 nuk pritet të jetë më e lartë se rreth 3%”, shtoi ai.

Mustafa konsideron se Kosova do të ketë një vit të humbur, sepse Qeverisë po i nevojiten dy vite për t’i kryer punët që do të duhej përfunduar brenda një viti./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.