
Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Evropiane dhe deputeti në Parlamentin Evropian, Sandro Goci, deklaroi sot se vendimi i Serbisë për të varrosur Ratko Mlladiqin me nderimet më të larta shtetërore kalon kufirin të cilin asnjë shtet që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian nuk do të duhej ta kalonte kurrë.
Duke theksuar se Mlladiq është dënuar nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë edhe gjenocidin në Srebrenicë, Goci në një deklaratë të shkruar tha se nderimet shtetërore për një kriminel të dënuar lufte nuk janë kujtesë, por madhërim.
“Duke dhënë nderimet më të larta, autoritetet në Serbi, nën kryetarin Aleksander Vuçiq, po ashtu po promovojnë revizionizmin historik në vend të përgjegjësisë dhe pajtimit. Ata po e shndërrojnë madhërimin e përgjegjësve për gjenocid në politikë zyrtare shtetërore, duke e larguar Serbinë edhe më shumë nga vlerat evropiane“, vlerësoi Goci.
Duke vënë në dukje se Serbia i takon Evropës, Goci theksoi se e ardhmja e saj evropiane nuk mund të ndërtohet mbi rehabilitimin e kapitujve më të errët të së kaluarës së saj, por duhet të ndërtohet mbi të vërtetën, drejtësinë, vlerat demokratike dhe respektimin e viktimave.