
Ka filluar takimi midis udhëheqësit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharajt, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti lidhur me grevën në arsim në vend.
Ministrja e Arsimit për një ditë e kishte akuzuar në dy statuse të ndara SBASHK-un se po shantazhon përmes grevave.
“Greva është instrument demokratik dhe legjitim për vënien në pah të problemeve të punëtorëve, në secilin vend demokratik.
Përtej specifikave historike e ligjore të secilit vend, praktikat gjithandej Evropës dhe botës e tregojnë një gjë: kur grevat janë të sinqerta dhe përdoren për t’i sjellë në agjendë të vendim-marrësve kërkesat e punëtorëve, ato nuk vazhdojnë edhe nëse nuk plotësohen 100% të kërkesave menjëherë.
Kur nuk e kanë për qëllim përmirësimin e kushteve të punëtorëve, por shantazhimin e palës tjetër, fshihen pas barrikadës së 100% të kërkesës, dhe atë menjëherë”, kishte thënë ndër të tjera Nagavci.
Tutje, në po të njejtën ditë, Nagavci e kishte quajtur SBASHK-un si të vetmen palë të barrikaduar dhe kishte perseritur akuzën e shantazhit.
“Ka vetëm një palë të barrikaduar.
Pozicioni ynë legjitim është: Të fillojë mësimi. Shumica e kërkesave të mësimdhënësve janë plotësuar, vazhdojmë dialogun e mirëfilltë social.
Pozicioni i drejtuesve të SBASHK: Nuk fillon mësimi para se të plotësoni kërkesën tonë për 100 euro ose për shumën që merremi vesh.
Sikur çdoherë deri më tani, edhe sot dhe çdo çast jam e gatshme për bashkëpunim. E hapur për rekomandime e kritika konstruktive. E vullnetshme për të punuar në avancimin të pozitës së mësimdhënësve ashtu si dhe në vlerësim e ridizajnim të politikave që shpiejnë në përmirësim të rezultateve.
Arsimi në radhë të parë është çështje e përmbajtjes dhe cilësisë.
Çdo orë më shumë e humbur është me pasoja për fëmijët që shkojnë në çerdhet e shkollat publike, për të gjithë ne.
Andaj, të dashur mësues, mos refuzoni të bëni punën më fisnike, atë të mësimdhënies.
Çdo ditë jashtë klasave, ju bën me vetëdije ose jo, pjesë të agjendave të grupeve të interesit që asnjë interes të përbashkët me ju a me arsimin si fushë nuk e kanë. Përkundrazi, kanë kontribuar në gjendjen që e kemi të gjithë.
Mësimi është mbi të gjitha.
Greva ka kuptim kur nuk dëmton nxënësit dhe procesin mësimor. Në situatën aktuale më shumë është shantazh, e përballë shantazhit nuk ka rrugë tjetër veçse të qëndrojmë për vlerat antishantazh”, kishte shkruar Nagavci.
Ndërkohë takimi Jasharaj-Kurti po vazhdon i filluar para rreth 40 minutave. / Gazeta10.