
Raporti: Kanal10
Ndërrimi i motmoteve nuk ka kaluar pa incidente në Kosovë. Tre persona janë plagosur me plumb qorr derisa 25 të tjerë kanë kërkuar trajtim në Klinikën Emergjente në QKUK. Dy prej pacientëve të plagosur me plumb qorr kanë vazhduar trajtimin në Klinikën e Ortopedisë, derisa dy të lënduar nda mjetet piroteknike, janë dërguar në Klinikën Plastike, për shkak të gjendjes së rëndë.
Në shumë familje pati festë.
Por ndërrimi i motmoteve, nuk shkoi mirë për të gjithë.
Kjo pasi tre persona u plagosën me plumba qorr, e 25 të tjerë kërkuan trajtim mjekësor vetëm në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për shkak të lëndimeve që kishin marrë.
Nga Policia e Kosovës kanë njoftuar se nuk është raportuar asnjë incident me fatalitet, dhe se situata kryesisht ka qenë e qetë.
Sipas raportimeve të pranuara nga të gjitha Drejtoritë Rajonale Policore nata e Vitit të Ri ka kaluar kryesisht e qetë, megjithëse në disa rajone janë raportuar disa incidente me lëndime trupore dhe dëme materiale si pasojë e përdorimit të pakujdesshëm të mjeteve piroteknike dhe armëve të zjarrit. Nuk është raportuar asnjë rast apo incident me fatalitet, përfshirë këtu edhe aksidentet rrugore
Ndërsa, drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK , Naser Syla ka treguar se nga 25 të lënduarit me mjete piroteknike, dy kanë vazhduar trajtimin në Klinikën Plastike për shkak të gjendjes së rëndë, ndërsa të tjerët janë liruar për në shtëpi.
Ai ka treguar po ashtu se nga 3 personat e plagosur me plumb qorr, dy kanë vazhduar trajtimin në Klinikën e Ortopedisë, e njëri është liruar.
Syla ka thënë po ashtu se edhe gjatë ditës së sotme ka pasur pacientë që kanë kërkuar trajtim në klinikë për shkak të lëndimeve që kanë marrë nga mjetet piroteknike.
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë periudhës së festave të fund vitit dhe për Vitin e Ri, kanë shtuar masat e sigurisë dhe prezencës policore në ambiente ku pritej të ketë prezencë më të madhe të qytetarëve gjatë festimeve. / Kanal10