
Raporti: Saranda Alshiqi
Banorët e fshatit Dobërçan në Gjilan, thonë se janë në hall nga ndotja e lumit Përlepnica. Ata akuzojnë fabrikën e qumështores e cila ndodhet në fshat, derisa këta të fundit kanë mohuar një gjë të tillë. Mirëpo, për këtë Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka thënë se për operatorin në fjalë janë shqiptuar masa, shkruan Kanal10.
Ndotja e lumit Përlepnica po e vështirëson jetesën e banorëve të fshatit Dobërçan të Gjilanit.
Sipas tyre, ndotjen po e shkakton fabrika e qumështores që ndodhet në këtë fshat.
Banorët thonë se për këtë problem janë njoftuar edhe institucionet përkatëse.
Hajdar Nuredini thotë se ky kundërmim ia vështirëson edhe kushtet e punës, pasi ndodhet fare pranë lumit.
Pronarë të qumështores “Kabi” të cilët nuk pranuan të flasin para kamerës, mohuan një gjë të tillë, duke thënë se ky lum nuk është ndotur asnjëherë nga qumështorja.
Mirëpo, në një përgjigje me shkrim Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka thënë se tek operatori në fjalë janë shqiptuar masa.
“Inspektorati i MMPHI-së, ka zhvilluar inspektim te operatori në fjalë dhe për shkeljet e konstatuara ka shqiptuar masat konform ligjeve në fuqi.”
Banorët kanë paralajmëruar edhe protesta në rast të vazhdimit të ndotjes së lumit. /Gazeta10