Betimi*[1] së bashku me dy vëllezërit dhe motrën erdhën në SOS Fshatin e Fëmijëve në Prishtinë në vitin 2012, pasi humbën të dy prindërit.Të mbetur pa askënd që do të kujdesej për ta, Betimi së bashku me vëllezërit u referuan në SOS Fshatrat e Fëmijëve. Kur Betimi erdhi në SOS Fshat, ishte shumë e natyrshme që ai, si më i rrituri, të përballej me sfida emocionale dhe akademike. Por më mbështetjen që i duhej për të shëruar plagët emocionale dhe me mundësinë e ofruar për edukim të duhur, e në veçanti fakti që ai nuk do të kishte nevojë të shqetësohej për mirëqenien e vëllezërve dhe motrës, Betimi filloi të lulëzojë dhe të mbushej me jetë dhe energji përsëri. Sot, ai po aplikon për studime në universitet dhe shpreson që të bëhet një avokat i së drejtës familjare. I pyetur se çka vlerëson më së shumti nga koha e tij në SOS Fshat në Prishtinë, Betimi u shpreh se “fakti që vëllezërit dhe motra e tij janë në rrugë të mbarë për të përmbushur ëndrrat e tyre”.
Kjo është vetëm njëra nga shumë histori të fëmijëve dhe të rinjve që kanë gjetur kujdes dhe mbrojtje në SOS Fshatra e Fëmijëve Kosovë që nga viti 1999. Ofrimi i kujdesit dhe mbrojtjes nga SOS Fshati për fëmijët pa përkujdes prindëror do të ishte shumë i vështire pa përkrahjen financiare nga miqtë dhe donatorët.
Këtë vit, për të nëntin vit radhazi, kompania “Meridian Express” sërish organizoi fushatën tashmë tradicionale për mbledhje të fondeve “Barazo Faturën”. Për më shumë se një muaj, konsumatorët e marketeve të lagjes “Meridian Express’ ju ofrua mundësia që të barazojnë faturën e tyre dhe pjesën e mbetur të kusurit nga blerja e tyre të dhurohet për SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë. Klientët e Meridian Express mblodhën mbi 6 mijë euro, mjete këto të cilat do të përdoren për ushqim dhe edukim të fëmijëve pa përkujdesje prindëror.
Por këtë vit, Meridian Express po shënon edhe 10 vjetorin e themelimit, e kjo shënon edhe dekadën e miqësisë me SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, pasi që nga themelimi, ky biznes gjithmonë ka përkrahur SOS Fshatin. Andaj për të shënuar këtë rast, në një ceremoni në SOS Fshat, Meridian Express dhuroi 10 mijë euro për SOS Fshatrat e Fëmijëve, shumë kjo që simbolizon 10 vjetorin e themelimit dhe 10 vjetorin e miqësisë me SOS Fshatrat e Fëmijëve.
Drejtori i përgjithshëm i kompanisë Meridian Express, z. Agon Gashi, tha se Meridian Express që nga fillimi në kuadër të të përgjegjësisë sociale, ka ndihmuar SOS Fshatin. “Kjo ndihmë sado e vogël krahasuar me nevojat, ndikon drejtpërdrejte në jetën e përditshme të një fëmije, fëmijë ky i cili nesër mund të jetë një kontribut-dhënës i rëndësishëm për komunitetin dhe shoqërinë tonë”, tha z. Gashi gjatë dorëzimit simbolik të çekut me mjetet e grumbulluara.
Përderisa, Drejtori Nacional i SOS Fshatrave të Fëmijëve, Nezahat Ramadani Salihu falënderoi Meridian Expressin për përkrahjen e vazhdueshme. “Miku i mirë të gjendet në ditë të vështirë, është një thënie e vjetër, por Meridian Express na është gjendur afër përgjatë viteve si në ditë të mira e sidomos tash në këto periudha të vështirë për të gjithë”, nënvizoi Ramadani Salihu.
Në anën tjetër, z. Gashi premtoi se Meridian Express do të vazhdojë të jetë afër SOS Fshatrave të Fëmijëve dhe do të ofrojë kontributin e tij në misionin e SOS Fshatrave që asnjë fëmijë të mos rritet i vetëm.
Përgjatë 10 viteve partneriteti, korporata Meridian ka dhuruar afër 100,000 euro në para dhe të mira materiale, duke kontribuar kështu në rritjen dhe mirëqenien e fëmijëve pa përkujdes prindëror dhe në rrezik të braktisjes.
[1] Për shkak të ruajtjes së privatësisë dhe identitetit, emri dhe viti janë ndryshuar.