
Deputetët e VV-së të bindur se Kurti do t’u përmbahet qëndrimeve kundër këtij mekanizmi.
Deputetët e partisë në pushtet janë të bindur se të hënën kryetari i tyre, Albin Kurti nuk do ta vendos në tavolinë të diskutimeve temën e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja thotë se pavarësisht që Serbia tenton që Asociacioni të jetë në qendër të dialogut, kjo temë nuk do të jetë pjesë e këtij takimi.
Sipas tij, duhet të ketë kujdes që në këtë takim të mos diskutohet për krijimin e mekanizmave me kompetenca ekzekutive, ashtu siç kanë bërë sipas tij pushtetet paraprake.
I bindur si bashkëpartiaku i tij, është edhe deputeti Dimal Basha, raporton Gazeta10.
Ndërsa deputeti Adnan Rrustemi, tha se të hënën do të diskutohet lidhur për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, mbi bazën e planit franko-gjerman.
Pavarësisht presioneve ndërkombëtare për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, partia në pushtet po vazhdon ta kundërshtojë një gjë të tillë, ndonëse kryeministri Albin Kurti, ka thënë se një mekanizëm i tillë mund të krijohet, por duke këmbëngulur që ai të bëhet sipas gjashtë kushteve të tij./Gazeta10