
Një qytetar i cili edhe është punonjës në stacionin e zjarrfikëseve në Pejë, në një lidhje direkte në emisionin “Mëngjesi me Arben Ahmetin” është ankuar se objekti i zjarrfikëseve tani e një muaj e gjysmë është pa energji elektrike.
Ai tha se këtë mungesë të energjisë e zëvendësojnë me gjeneratorë, por që nuk i mbajnë ndezur gjatë tërë kohës për shkak të shpenzimeve të mëdha, shkruan Gazeta10.
“Stacioni i zjarrfikëseve në Pejë që një muaj e gjysmë është pa rrymë, fare nuk ka rrymë. Dojmë me u çmend ndonjë ditë prej këtyre agregateve. Jemi që sa pa rrymë, se është ndërpre rryma, se objekti është privatizu. Problemin kryesor se dimë ku është, po nuk mërzitet askush për në as kryetari e as drejtoria e Emergjencës për Shpëtim. Kanë ardh KEK-u kanë bë disa matje, premtime të kota, kurgjo hiç. Gjeneratorin po e lejmë ndez sipas nevojës, se po ka shumë shpenzime.”, ka thënë qytetari në ‘’Mëngjesi me Arben Ahmetin”.
Lidhur me këtë, është pyetur edhe kryetari i Pejës, Gazmend Muahxheri i cili e shpjegoi këtë neglizhencë duke thënë se problemi qëndron tek trafoja e energjisë, sepse dikush sipas tij po vjedh siguresat në të.
“Zjarrfikësit janë në objekt të komunës, që përpara ka qenë ambulant. Tani janë duke zhvilluar punime në objektin e SHIK-ut prej AKP-së dhe ka probleme me trafo, dikush herë pas herë i vjedh në trafo siguresat. Kanë bërë kërkesë që me zhvendos edhe me u lidh me një trafo. Trafon që kanë qenë të lidhur ka probleme, tash kërkesën e kemi bë. Objekti është pronë komunale.”, tha Muhaxheri./Gazeta10