
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ka njoftuar se është nënshkruar një deklaratë për bashkë-zbarkimin e forcave të Kosovës dhe Britanisë në misione ushtarake me ministrin e Forcave të Armatosura dhe Veteranëve, James Heppey, raporton Gazeta10.
Mehaj ka thënë se në këtë takim është konfirmuar synimi i Kosovës për anëtarësim në NATO.
Më tej, thuhet se Mehaj ka ofruar gaditshmërinë për mbështetjen e Ukrainës si dhe ka konfirmuar qëndrimin kundër agresionit rus.
Tutje, ai ka thënë se kjo deklaratë është një e arritur shumë e madhe e Kosovës.
Këtu keni statusin e plotë:
“Nënshkruhet deklarata e përbashkët Mbretëri e Bashkuar – Kosovë për bashkë-zbarkime të forcave të dy vendeve në misione ushtarake
Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, gjatë vizitës zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar u prit në Ministrinë e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës Veriore nga Ministri i Forcave të Armatosura dhe Veteranëve, James Heappey.
Ky takim, përveç konfirmimit të mbështetjes nga ana e Mbretërisë së Bashkuar në synimet tona për integrim në NATO, i paraprinë edhe planit tonë të bashkëpunimit për vitet në vijim.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi është nënshkruar deklaratë e përbashkët ndërmjet ministrave për bashkë-zbarkimin e FSK-së me Ushtrinë britanike në misionet ku angazhohet Mbretëria e Bashkuar me trupat e saj ushtarake.
Gjithashtu, gjatë takimit, Ministri Mehaj ofroi mbështetje me të gjitha kapacitetet në kuadër të përpjekjes për të ndihmuar Qeverinë dhe popullin e Ukrainës si dhe ritheksoi qëndrimet tona kundër agresionit rus në Ukrainë.
Deklarata e përbashkët për bashkë-zbarkim është e arritur shumë e madhe e Republikës së Kosovës e cila rikonfirmon fuqishëm besueshmërinë e plotë të Mbretërisë së Bashkuar dhe Qeverisë së saj në Ministrinë tonë të Mbrojtjes dhe kapacitetet e forcave tona.
”, ka shkruar Mehaj në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10