Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Protestë kombëtare në Prishtinë të enjten për vrasjen makabre të gruas shtatzënë

Gazeta10
30 November 2022 - 23:22

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka paralajmëruar se nesër do të mbajë protestë në Prishtinë pas rastit të vrasjes së një gruaje shtatzëne në oborr të QKUK-së, raporton Gazeta10.

Nën moton “VRASJA E GRAVE NGA BURRAT TË TRAJTOHET SI URGJENCË KOMBËTARE” është paralajmëruar të mbahet protestë nesër në ora 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, Prishtinë.

Në reagimin e tyre Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka thënë se gratë në Kosovë po vriten veç pse janë gra.

“Gratë po vriten një nga një në Kosovë, në shtëpitë e tyre, në spitale e rrugë nga burrat bashkëshortë, familjarë e të njohur. Me sopata e plumba e në mënyrën më makabre burrat po ua marrin jetën grave. Ata po vrasin gratë në sytë tanë e në dijenin e shtetit e me ndërmjetësimin e tij. Gratë vriten, e para kësaj dhunohen vazhdimisht, në heshtje e pa mbrojtje. Ato jetojnë nën frikë të vazhdueshme, deri sa në fund iu merret edhe fryma e fundit. Gratë po vriten veç se janë gra. Ato po vriten nga burrat sepse ky sistem i ka mësuar ata që gratë janë pronë e tyre, gjithmonë të nënshtruara me dhunë ndaj pushtetit të burrave. Rasti i sotëm i femicidit dhe ai i para pesë ditëve, janë alarmet e fundit që shteti dhe shoqëria ta trajtojë si urgjencë kombëtare vrasjen e grave nga burrat. Janë sinjale që na ftojnë në organizim e revoltë. “, thuhet në reagimin e tyre.

Tutje në reagimin e tyre thuhet se nuk mund të lejojnë që gratë të vriten apo të jetojnë me dhunë e frikë tërë jetën./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.