Kontaktoni

info@gazeta10.com

Politiko

Ministri Peci përgjigjet në ‘Politiko’: Akuzat për grante, presidentja dhe kërkesat e Abazit për favore

Gazeta10
22 November 2024 - 16:38

Të enjten në ‘Politiko’ me Kushtrim Sadikun ka qenë i ftuar ministri i Bujqësisë, Faton Peci përballë komentatorëve politikë Viktor Buzhalës, Shqipe Pantinës dhe Naim Sadikut.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka lavdëruar punën dhe rezultatet e tij përgjatë mandatit si ministër, duke thënë se ka fituar besueshmërinë e qytetarëve, të cilët siç tha ai, janë ndarë të kënaqur me përformancën dhe punën e tij si ministër.

“Kam qenë në top dhjetëshen e më të votuarve në Kosovë në listën e Lëvizjes Vetëvendosje që e ka gëzuar besueshmërinë e popullit në zgjedhjet e kaluara. Matja e qytetarëve për punën time në mandatin katërvjeçar është fantastike”, ka thënë Peci në ‘Politiko’ me Kushtrim Sadikun.

Peci u është përgjigjur kritikave për grantet e dhëna prej 100 mijë eurove për vëllain dhe dajën e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacollit.

“Kurrë në jetën time nuk kam qenë kundër kritikës, shoqëritë që kanë qasje kritike janë ato që zhvillohen. Në këtë rast, nuk ka qasje kritike ka shpifje, gënjeshtra deri te konsumim i veprave penale për mashtrim dhe shpifje”, ka thënë Peci.

I pyetur nga gazetari Kushtrim Sadiku se a janë favorizuar familjarët e Pacollit ngaqë janë me Vetëvendosjen, Peci ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se nuk është favorizuar askush, porse në këtë rast nuk kanë mundur të bëjnë diskriminime.

“Nuk është favorizuar askush. Nuk mund të diskriminohet askush. Kjo do të thotë se as nuk është favorizu, por as ne nuk mundemi me i thane që ti nuk mundesh me qenë përfitues i grantit përderisa je Vetëvendosje”, ka thënë ai.

Peci ka thënë se qytetarët nuk mund të diskriminohen veçse janë me VV-në, ngaqë sipas tij, kjo do të përbënte ‘diktaturë’.

“Për VV kanë votuar 438 mijë qytetarë, do të thotë janë 120 mijë emra përfitues. Prej 120 mijë emrave nëse ne themi kushdo që ka votuar në zgjedhjet e fundit, VV nuk mundet me qenë përfituese e subvencioneve dhe granteve, kësaj era i vjen diktaturë”, ka thënë Peci.

Tutje, ai ka komentuar dhe refuzimin e grantit për Fahrije Hotin nga Krusha.

Peci ka thënë se nuk ka mundur të ndërhyjë në dhënien e granteve për Fahrije Hotin, ngaqë sipas tij, kjo do të përbënte shkelje ligjore.

Por megjithatë, dhënien e granteve për vëllain dhe dajën e Fitore Pacollit, Peci e ka arsyetuar me plotësimin e kushteve.

“Më tregoni ju, gazetarë e njohës të fushës së shtetit, cili është veprimi ligjor që unë duhet me ndërmarr që mos me fitu grantin vëllau dhe daja i fitores që i kanë plotësu kriteret dhe qysh me ndërhy unë që me ia dhënë grantin Fahrijes. Kjo është thirrje qe une me bo shkelje ligjore dhe me perfundu prapa grilave”, ka thënë Peci.

Ministri i Bujqësisë ka thënë se është ministri i vetëm që nuk ka ndikuar asnjëherë në listen e përfituesve të granteve.

Ai ka theksuar se në të kaluarën ka pasur raste që grantet kanë shkuar përmes zyrës së ministrit, porse me ardhjen e tij, kjo situatë ka ndryshuar.

“Në të kaluarën grantet kanë shkuar përmes zyrës së ministrit ndërsa njëri prej vetë ish-drejtorëve në agjencinë, personalisht ma ka thane që jeni ministri i vetëm që nuk ke dërgu asnjë reference asnjë ndërhyrje në proces të vlerësimit”, ka thënë ai.

Për më tepër, Peci ka insistuar që asnjëherë nuk ka dhënë grante personalisht, madje ka theksuar se as emrat në listen e kandidatëve për përzgjedhje nuk i ka parë.

“Përderisa këta e dijnë çfarë kanë qenë edhe momentin kur publikohet një fitues atëherë ndërdija e tyre thotë ia paska dhanë grantin. Nuk jap grant, nuk i shoh as emrat”, ka thënë Peci.

 

Tutje, Peci i është përgjigjur deputetit Haki Abazi, i cili në fjalimin vjetor të presidentes Osmani në kuvend, i ishte drejtuar pushtetit duke i quajtur “hajna, hajna qiti 100 mijë eurot”.

Peci ka thënë se deputeti i pavarur Haki Abazi ka pasur kërkesa të vazhdueshme për punësime.

“A ka folur Haki Abazi ka thane janë hajna? A ka folur për interferim? Përderisa ai në kuvend bënte thirrje ‘hajna, hajna’, mu më kujtu se cilat kanë qenë diskutimet me të ose për çka mu ka afru mu Haki Abazi. Unë i kam edhe dëshmitë more. Ka pasë kërkesa të vazhdueshme për punësime”, ka thënë Peci.

Ministri i Bujqësisë ka theksuar se fjalët e Abazit “hajn, hajn” janë hipokrizi, pasi i njëjti ka kërkuar favore për punësime.

“Në vazhdimësi krejt kërkesat e tij kanë qenë kërkesa për punësime. Punësime dhe favore ka kërku. Haki Abazi dhe shumë të tjerë e kanë kërkuar këtë. Janë hipokrita të llojit të vetë. Nuk ia vlen me ua marr”, ka thënë Peci.

Lidhur me këto mesazhe, analistja Shqipe Pantina, e ka pyetur Pecin se a ka deputetë ose ministra të LVV-së që i kanë kërkuar favore dhe nuk po i publikon, pasi janë ende pjesë e Vetëvendosjes.

“Pyetja ime është a keni mesazhe të tilla edhe me anëtarë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, ndoshta edhe nga Pacolli për shkak se ende janë në Vetëvendosje nuk po i bëni publike dhe ndoshta nesër nëse dikush del ndoshta mund ti bëni publike. Abazi ndoshta ju ka shkruar sa ishte ende në Vetëvendosje se tash nuk e di a i keni ende raportet e tilla dhe nuk e di a guxon me me iu kërku favore, pra a ka edhe deputetë të tjerë që ju kërkojnë favore të tilla”, ka thënë Pantina.

Akuzat dhe kritikat për kundërshtarët politikë, Peci i ka vazhduar teska ka folur për listen e anëtarëve të partive politike në Kosovë, të cilat kanë qenë përfitues të granteve gjatë mandatit të tij, të cilën e kishte publikuar ditë më parë.

Peci ka thënë se edhe pjesëtarët e partive të tjera politike kanë marrë grante, për çka theksoi se është përgëzuar nga ta.

“Ka pasë prej tyre që kur jam shku në terren m’kanë thane minister jam i fasionum me procesin e vlerësimit meritor, unë jam asambleist i LDK-së, unë jam i PDK-së”, ka thënë Peci teksa ka komentuar listen e publikuar.

Për më tepër, Peci ka shpërfaqur edhe listat e drejtorëve e asambleistëve të partive të tjera që kanë përftuar grante.

“Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Skenderajt ka aplikuar përmes vajzës së tij për shkak se merr poena përfaqësimi gjinor, e ka përfitu grantin. Në Malishevë, asambleistja e Nismës e ka përfitu grantin”, ka thënë Peci.

Megjithatë, ai ka thënë se edhe nipi i Lumir Abdixhikut ka fituar grante, porse kryetari i LDK-së kishte pasur një kërkesë ndaj tij.

“Në Lipjan, njëri prej përfituesve që del të jetë nipi i këtij çunit që ka ba kallëzim penal me sugjerim të Lumir Abdixhikut e ka thirr në telefon edhe i ka thane ‘është momenti kur duhesh me na nimu’ në fushatë zgjedhore edhe duhesh me deklaru që procesin e përfitimit të grantit e ke marrë me ryshfet. Ai ka thane jo asnjëherë nuk e boj një veprim të tillë”, ka thënë Peci.

Në vazhdën e kritikave, Peci është kundërshtuar nga panelistët, të cilët ia kanë rikujtuar të njëjtit ‘gabimet’ dhe dyshimet për korrupsion të po të njëjtës ministri.

Ka qenë analisti Viktor Buzhala, i cili ia ka rikujtuar Pecit emërimin e Naim Huruglicës, i cili më parë ka qenë i angazhuar në PDK.

“Ju po i akuzoni vazhdimisht qeveritë e kaluara për korrupsion. Sa i përket korrupsionit në qeveritë e kaluara dogana ka qenë kampion dhe ju shkoni e bëni këshilltar tuajin Naim Huruglicën,  pa dashur të paragjykoj diçka për të, mirëpo e bëni atë, i cili ka qenë drejtor i doganave në kohën e PDK-së. Qysh po doni me e luftu korrupsionin përmes këtyre njerëzve dhe e dyta çfarë eksperti është Huruglica se e keni quajtur ekspert”, ka pyetur Buzhala.

Lidhur me këto akuza, Peci ka thënë se Huruglica nuk ka qenë pjesë e asnjë partie dhe se është një prej figurave që ka pasur post publik, por që sipas tij, nuk ia ka drejtuar askush gishtin për keqpërdorim ose keqmenaxhim.

“Thatë se keni respekt për Huruglicën, veç respekt nuk paske në mënyrën qysh e portretizove. E dyta Naim Huruglica është ish-drejtor i doganës. Naim Huruglica është njëri prej atyre figurave që ka mbajtur mbajtur post publik dhe kurrkush nuk ka mujt me ia drejtu gishtin për keqpërdorim ose keqmenaxhim dhe unë besoj shumë në pastërtinë e tij”, ka thënë Peci.

Tutje, kritikat për Pecin nuk i ka kursyer as gazetari Naim Sadiku.

Gazetari Sadiku i ka reaguar ashpër ministrit, Faton Peci, i cili tha se të gjitha akuzat ndaj tij janë shpifje dhe mashtrime.

“Nuk e di këtu çka ka shpifje dhe çka ka gënjeshtra. A është e vërtetë që dy anëtarë të Komisionit për Bujqësi, familjarë kanë kërkuar grant. E dyta, a është e vërtetë që këshilltari juaj ka marrë grant prej Ministrisë së Bujqësisë? Çfarë ka shpifje këtu?”, ka pyetur gazetari Sadiku në ‘Politiko’.

Megjithatë, ndaj një deklarate të tillë ka reaguar ministri Peci.

“Çfarë këshilltari është Naim Ruglica”, ka thënë Peci.

Sadiku ka thënë se Peci po tenton të ikë nga përgjegjësia, derisa ia ka përmendur konferencat e mbajtura për arrestimet e 2.1 milionishit.

Në debat e sipër, Sadiku ka kërkuar që Peci t’u kërkojë falje ministrave të mëhershëm, për të cilët VV-ja dilte dhe mbante konferenca për “skandalet” e LDK-së dhe partive të tjera.

“A e ka pasë në pjesë të kabinetit? Çfarë ka shpifje qetu. Nëse qetu ka shpifje, atëherë kërkoju falje Besian Mustafës, Hykmete Bajramit që i keni gozhdu për rastin e 2.1 milionëshit. Kur janë arrestu zyrtarët e agjencisë së Minstrisë së Bujqësisë kur ministër ka qenë Besian Mustafa, për të cilin janë mbajtur konferenca për media ku është kërku shkarkimi i tij”, ka thënë Sadiku.

“Po kanë pasë përkrahje politike ata”, ka thënë Peci.

Peci ka komentuar edhe deklarimin e fundit të presidentes Vjosa Osmani, e cili në fjalimin vjetor u shpreh se nuk i ka kuptuar talljet që bëhen në llogari të aleatëve e as përmendjen e emrave të tyre për të fituar pushtet. Sipas saj, aleanca me ata që ndihmuan të bëhet shteti i Kosovës nuk është as nënshtrim e as shantazhim.

“Në rastet e konstatimeve të tilla, unë mendoj që është mirë me qenë më konkret. Si ministër i kam rritur partneritetin me organizatat ndërkombëtare. Unë si ministër nuk kam ba naj veprim të tillë, për qeverinë nuk e di që ka luajtur bixhoz me partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë Peci.

Ministri ka thënë se presidentja është dashur që të jetë më konkrete dhe të tregojë se kush ka luajtur bixhoz në këtë drejtim.

“Kushdo që konstaton që dikush një rrethanë që ka lujt bixhoz në një aktivitet apo diçka të tillë. Del edhe thu që p.sh. ai ka luajtur bixhoz me këtë çështje”, ka thënë Peci.

Në fund, Peci ka thënë se presidentja e vendit, Vjosa Osmani është presidentja më e mirë që e ka pasur Kosova pas pavarësisë.  /Gazeta10/

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.