
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të enjten është mbajtur seanca fillestare ndaj të pandehurve Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq, të cilët në mungesë akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë majit të vitit 1999.
Prokurorja Florije Salihu-Shamolli, në seancën e sotme, ua ka lexuar palëve në procedurë aktakuzën.
Meqenëse bëhet fjalë për një gjykim në mungesë, prokuroria dhe gjyqtari Rrahman Beqiri deklaruan se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet në kompetencën e tyre për të siguruar praninë e të akuzuarve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktakuza thotë se me përdorimin e dhunës dhe veprimeve tjera çnjerëzore kanë kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar.
Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Krime kundër njerëzimit” nga neni 143, par.1, nënpar.1.6 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.