
Emisari special i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, sot do të vizitojë Kosovën, raporton Gazeta10.
Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se Peach dhe Kurti do të zhvillojnë takim nga ora 16:00.
Padyshim situata e sigurisë dhe vazhdimi i dialogut do të jenë në fokus. Ndonëse ende nuk ka datë të caktuar për rifillimin e dialogut, tashmë është e qartë se 2023-ta do të jetë vit i dinamizmit të dialogut Kosovë-Serbi. Këtë e kanë bërë të kuptueshme edhe vetë deklarimet e diplomatëve se në mars mund të kemi një marrëveshje Kosovë-Serbi.
Vizita e të deleguarit britanik do të pasohet me të tjera të diplomatëve evropianë e amerikanë pasi që gjatë këtij muaji, Kosovën do ta vizitojë edhe Përfaqësuesi i Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák dhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar./Gazeta10