
Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në kuadër të veprimeve hetimore dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaloi një person për 48 orë, shtetas i huaj, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale ‘’Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit’’ si dhe veprën penale ‘’Hyrja e paautorizuar kompjuterike’’.
“Sipas dyshimeve fillestare, personi i dyshuar, përmes ndërhyrjeve të paautorizuara në sistemet kompjuterike, dyshohet se ka keqpërdorur kartelat bankare të shtetasve të huaj, duke kryer blerje të ndryshme përmes platformave online, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm material.
Gjatë realizimit të kontrollit dhe bastisjes në një lokacion në rajonin e Prishtinës, janë sekuestruar pajisje të ndryshme elektronike, përkatësisht dy (2) kompjutera, dy (2) telefona celularë, dy (2) USB, si dhe dokumente të ndryshme, të cilat do të shërbejnë si prova matriale në kuadër të procedurës penale”, thuhet në njoftimin e përbashkët të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Policisë së Kosovës.