Kur kanë mbetur edhe një orë para fillimit të takimit mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksadar Vuciq, gazetari i Kanal10, Xhemajl Rexha ka dhënë informacionet më të fundit para nisjes së takimit, raporton Gazeta10.
Rexha ka thënë se kjo është dita më e rëndësishme e vizitës së Kurtit në Bruksel.
“Po, sot është dita më e rëndësishme e vizitës së Kurtit në kryeqytetin europian ku pas një orë e 30 minutash zyrtarisht nis takimi në zyrën e Borell me Presidentin Vuçiq dhe vjen pas një viti pasi nuk kishte asnjë takim të nivelit të lartë mes krerëve të të dyja shteteve”, ka thënë Rexha nga Brukseli.
Tutje, Rexha ka thënë se ka optimizëm lidhur me temat që do të diskutohen sot e ku mund të përfshihen edhe elementet e marrëveshjes finale.
“Kosova në bazë të asaj që kemi parë vetëm një natë përpara nga deklarata e kryeministri Kurti ka vend për optimizëm në kupitm të diskutimit serioz sa i takon diskutimit të elementeve të marrëveshjes finale”, ka thënë ai tutje.
Xhema ka thënë se diskutimet sot do të ndahen në dy rrafshe e që kanë të bëjnë me elementet e marrëveshjes si dhe uljen e tensioneve.
“Me gjasë diskutimet sot do të fokusohen në dy rrafshe, edhe renditja është e tillë, e para është pra elementet e marrëveshjes finale, ku mund të përfshihet edhe diskutimi për Asociacionin dhe në pjesën e dytë mënyra se si të ulen tensionet nga Bashkimi Europian e që ka të bëjë me datën e shumë pritur të 1 shtatorit”, ka shtuar më tej Rexha.
Kujtojmë se këto takime po mbahen në Bruksel pas një periudhe të tensioneve dhe destabilitetit në veriun e Kosovës ku grupet serbe në veri kishin bllokuar rrugët si shenjë kundërshtimi ndaj paralajmërimit për vendosjen e masave të reciprocitetit në dokumente të kalimit dhe në targa. / Gazeta10