Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

“Një votë kushtonte nga 300 deri 500 euro” – Berisha akuzon Partinë Socialiste për blerje votash

Gazeta10
17 May 2023 - 13:54

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat këtë të mërkurë u shpreh se zgjedhjet e 14 Majit ishin të blera. Ai theksoi se me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira.

“Këto zgjedhje ishin të blera dhe për blerjen e tyre u përdorën qindra milionë Euro nga taksat e shqiptarëve. Ndërkohë që opozita dhe jo pseudo-opozita nuk ka paguar një qindarkë të vetëm. Këto zgjedhje janë të blera sepse narko eurot u bënë dhe diktuesi kryesor i rezultatit të tyre.

Ata që besojnë se kjo blerje masive e votës mund të kapërcehet me frymë, mashtrojnë veten. Ata besojnë se Edi Rama bën zgjedhje të lira dhe pranon rotacionin. Detyrimi për të mbrojtur votën e lirë të shqiptarëve më shtyn të flas para jush: me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira.

Me Edi Ramën zgjedhje nuk ka dhe se këtë çdo shqiptar që dyshon ose beson se shteti ligjor, se ekonomia e tregut garantohen vetëm me votën e lirë duhet të bëjmë gjithçka për të larguar këtë armik të egër të votës së shqiptarëve”, u shpreh Berisha.

Në fjalën e tij ai tha se një votë u ble deri në 500 euro. Kjo u bë për dy arsye sipas tij. Për të mos ushtruar të drejtën e votës ose për të blerë direkt votën. Sipas Berishës, blerjen e zgjedhjeve e tregon edhe ulja e Euros në këmbim me Lekun.

“Në tregun e zi, shuma e blerjes së votës arriti nga 300 deri në 500 euro. Cila është kjo shumë totale që u përdor për të blerë votën e shqiptarëve? Është shumë e vështirë të gjendet, por ndoshta kurrë nuk mësohet. Ajo që dihet është se euro arriti nivele të ulëta këmbimi me lekun. Burimet kompetentë na thonë se një rënie e tillë e euros mund ta provokojnë vetëm hedhja e qindra milionë eurove në një kohë të shkurtër për këmbim. Rritja e euros fill pas përfundimit të zgjedhjeve, hodhi poshtë pretendimin se rënia lidhej me sezonin turistik. Kulmin e ka arritur në Shkodër. Shikoni fenomenin Doshi. Ky është fenomeni Dushku i vitit 2023”, tha Berisha.

Akuza hodhi ndaj të gjithë pushtetit për të cilën tha se u shndërrua në një makineri mafioze elektorale. Por kryedemokrati theksoi se do të mbrojë votën e lirë.

“Në këto zgjedhje, më shumë se në çdo zgjedhje tjetër në 32 vite, e gjithë qeveria qendrore, e gjithë qeveria vendore, u shndërruan në një makineri mafioze elektorale. Përballë garonin 61 kandidatë, në 61 bashki të vendit, të cilët u votuan nga 510 mijë qytetarë dhe patën zero financime nga financat publike të narkoshtetit shqiptar. Ata të cilët injorojnë këtë realitet, si realitet të papajtueshëm me çdo standard të votës së lirë, ata janë anëtarë të mafies së narkoshtetit ose kanë probleme me veten e tyre. Unë do mbroj votën e lirë”, u shpreh Berisha.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.