
Një nga emrat më të përfolur në Shqipëri e Maqedoni të Veriut viteve të fundit ishte ai i Jasir Asanit, për të cilin ‘interesoheshin’ të dy kombëtaret.
I zhvilluar në klubin e Vardarit në Maqedoninë e Veriut, Jasir Asani tregonte potencialin e tij në ndeshjet e elitës së futbollit maqedonas.
Pos Vardarit, Asani futbollin e tij e zhvilloi edhe te Shkupi e Pobeda e Prilepit, para se të kalonte në Shqipëri te Partizani.
Në tri vitet e kaluara te skuadra nga kryeqyteti shqiptar, Jasir Asani ishte në sytë e të gjithë futbolldashësve shqiptarë, duke treguar paraqitje mjaft të mira në secilën ndeshje.
Ndonëse e nisi mirë në Shqipëri, fundi nuk ishte aq i kënaqshëm, me Asanin që u huazua në Suedi tek AIK në mes të sezonit 2019/20.
Të gjithë ishin të bindur që një lojtar si Asani e meriton ftesën nga kombëtarja e Shqipërisë, mirëpo të njejtin mendim nuk e ndanin selektorët e kombëtares kuqezi.
Dëshirën për të luajtur me fanelën shqiptare e shprehte edhe Asani në çdo intervistë të mundshme, edhe pse vet ishte rritur si futbollist në nivelet e futbollit maqedonas.
Ftesën nga Shqipëria nuk e morri edhe për pak kohë, me Asanin që kishte qenë pjesë e Shqipërisë U21 në të kaluarën.
“Ftesa do të vie ndonjë ditë, më mjafton që të luaj mirë aty ku jam dhe Shqipëria do të më ftojë, jam i bindur” – thoshte Asani për një medium në shtetin maqedonas në vitin 2020.
Dy vite më vonë, ftesë për futbollin ndërkombëtar i erdhi, mirëpo jo nga Shqipëria, por nga Maqedonia e Veriut.
Blagoja Milevski, i bindur me talentin e Asanit vendosi ta ftojë në prag të një dueli mjaft të rëndësishëm, atë ndaj Italisë.
Mirëpo, Asani nuk arriti ta shijojë për shumë kohë momentet e tij me kombëtaren maqedonase, pasi FIFA nuk i dha dritën e gjelbërt për përfaqësimin e Maqedonisë së Veriut, duke thënë se ka të drejt të luajë vetëm me Shqipërinë.
Pra, e vetmja shpresë e tij mbeti Shqipëria dhe Eduardo Reja, i cili atë kohë ishte trajner i kombëtares shqiptare.
Edi Reja nuk mbeti edhe shumë gjatë në krye të Shqipërisë pasi më 30 nëntor të vitit 2022, FSHF-ja vendosi të ndërpresë bashkëpunimin me teknikun italian.
Caktimi i Sylvinhos në krye të “kuqezinjëve” më 2 janar doli të jetë në të mirë edhe të Jasir Asanit.
Menjëherë në grumbullimin e tij të parë, Sylvinho vendosi ta ftojë Asanin, me ngjarjet që do të rridhnin më vonë do të befasonin çdokë.
Asani ishte një ‘armë’ shtesë për trajnerin brazilian, i cili tashmë kishte në skuadër një lojtar që goditjet nga larg i kishte specialitet.
Debutimin e tij te kombëtarja shqiptare, Jasir Asani e gjeti më 27 mars të këtij viti në ndeshjen ndaj Polonisë në Varshavë, duke treguar shkëndijat e para.
Ishte qershori i këtij viti dhe ndeshja ndaj Moldavisë që solli golin e parë të Jasir Asanit me kombëtaren kuqezi, madje një supergol, i cili la të shtangur portierin moldav.
Golat e bukur nuk i ndali as në shtator, me Asanin që mposhti edhe Ëojciech Szczesnyn në “Air Albania” më një goditje tejet të fuqishme dhe të papërshtatshmë.
Golin e tretë në këto kualifikime, Asani e shënoi ndaj Republikës Çeke, duke dërguar topin në rrjeën e Pavlenkas.
Përveç goalve, sulmuesi anësor ka në emrin e tij edhe dy asistime, kështu duke qenë pikë kyqe në këtë sukses historik të Shqipërisë dhe një nga më meritorët në kualifikimin eventual të “kuqezinjëve” në “EURO 2024”.
Jasir Asani është një nga ‘zbulimet’ e Sylvinhos dhe një lojtar që ka shënuar emrin e tij në historinë e kombëtares shqiptare.