
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk e ka paraqitur në polici rastin ndaj mërgimtarit, Korab Blakaj. Ky i fundit kishte ironizuar me postimin e ministres për një rast dhunimi të një 14 vjeçare, për çka Haxhiu paralajmëroi se rasti do të shkonte në organe policore. Nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë se rastin e kanë lënë në duar të policisë. Sidoqoftë, njohësit e drejtësisë, thonë se rastet e dhunimit duhet të raportohen në polici dhe prokurori, e jo në ministri, shkruan Kanal10.
Megjithëse kishte paralajmëruar, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nuk e ka paraqitur në polici qytetarin Korab Blakaj.
Këtë e kanë konfirmuar nga Ministria që e udhëheq Haxhiu, të cilët kanë thënë se vetë postimi ka qenë publik dhe këtë e kanë lënë në dorë të Policisë.
“Konsiderojmë se tashmë policia është vënë në dijeni të reagimit të Ministres, reagim ky i cili ishte i shtyrë për shkak shqetësimeve që kemi me mendësinë dhe tendencën e relativizmit dhe normalizimit të pedofilisë si krim dhe talljen me viktimat e këtij krimi., thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë
Dërgimin e këtij rasti në polici, ministrja Haxhiu e kishte paralajmëruar pasi Blakaj që jeton në Vjenë të Austrisë, kishte ironizuar me një status të saj në rrjetin social, e cila kishte shkruar se si një prind kishte shkuar tek ajo në zyrë për t’i raportuar një rast dhunimi të vajzës 14-vjeçare.
Pasi që rasti nxiti reagime, ministrja Haxhiu, vazhdoi me postime tjera edhe gjatë së martës.
“Pedofilët dhe ata të cilët i normalizojnë e tallen me këto krime nuk dallojnë dhe aq. Relativizimi dhe përqeshja e pedofilisë, vetëm sa do ta rëndojë situatën dhe do t’i shtojë pedofilët e do ta normalizojë këtë krim!“, ka shkruar Haxhiu.
Mirëpo, avokati Arianit Koci thotë se një status i tillë nuk paraqet vepër penale, derisa sipas tij, këtë lloj postimi e mbron liria e shprehjes.
Ndërkaq, njohësi i çështjeve të drejtësisë, Yll Zekaj, thotë se rastet e dhunimit nuk duhet të raportohen në ministri, por në polici dhe prokurori.
Sipas tij, për rastin në fjalë, ministrja Haxhiu do të duhet të ftohej nga prokuroria në rolin e dëshmitares.
Televizioni ka provuar të kontaktojë edhe me Korab Blakaj, njëkohësisht ish-anëtarin e Lëvizjes Vetëvendosje, por nuk ka qenë i qasshëm. /Gazeta10